Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të mblidhet sot në orën 10:00, për të zhvilluar seancën për shqyrtimin e ankimimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kundër vendimit për pushimin e Vetting-ut ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Në seancën e kaluar të 16 majit, ish-kryeprokurori nuk ishte i pranishëm, pasi ndodhej jashtë Shqipërisë. Ai u përfaqësua nga avokati i tij Sokol Hazizaj, i cili deklaroi se klienti i tij nuk kishte pasur dijeni për ankimimin e Komisionierit Publik nga ky institucion por e ka mësuar nga mediat.

Trupa gjykuese u tërhoq për 30 minuta dhe më pas vendosi që seanca e shqyrtimit të shtyhej për t’i dhënë kohë subjektit rivlerësues të njihet me ankimimin.

“Të përsëritet njoftimi i ankimit për subjektin e rivlerësimit”, tha kryetari i trupit gjykues Sokol Çomo. Kolegji vendosi ta shtyjë zhvillimin e seancës për më 31 maj, kohë të cilën mbrojtja të bëjë të mundur plotësimin e prokurës së përfaqësimit dhe të njoftojë klientin e tij për datën dhe ditën e seancës.

Trupa gjykuese përbehet nga pesë gjyqtarë mes të cilëve dhe ish-kryeprokurorja Ina Rama, Sokol Como, Albana Shtylla dhe Ardian Hajdari, ndërsa relator i çështjes është caktuar me short gjyqtari, Luan Daci.

(m.k/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re