Sofistikimi i kultivimit të bimëve narkotike përmes ambienteve të izuluara siç janë magazinat apo apartamantet po gjen praktikë edhe në Shqipëri. Goditja e fundit e një fenomeni të tillë, është bërë këtë të enjte në zonën e Astirit në Tiranë ku u arrestuan 3 shtetas njëri prej të cilëve ruante ambientin e jashtëm të kësaj banese.

Sektori kundër krimit dhe narkotikëve sekuestroi 27 kg lëndë e dyshuar kanabis, një armë zjarri pistoletë, municione luftarake, aparatura që shërbejnë për tharjen dhe prodhimin e lëndës narkotike, doza me lëndë të dyshuar kokainë, një automjet dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Përgjatë këtij viti zyrtarisht janë njoftuar të paktën 15 raste të tilla, ku në shumicën e tyre, janë konstatuar në flagrancë, ndërsa në një numër më të vogël janë gjetur ambiente dhe mjete të cilat kanë ngritur dyshime se shërbenin si të ashtuquajtura ‘shtëpi bari’. Por shifrat sipas burimeve janë më të larta se kaq.

Të paktën 35 persona janë arrestuar në kushtet e flagrancës, proceduar në gjendje apo shpallur në kërkim. Ambientet ku zhvillohet ky aktivitet kriminal janë banesat private apo apartamentet e fundit të pallateve që merren me qera. Zakonisht kultivuesit, banorët e tjerë i shikojnë si familjarë pasi grupet kriminale që i kontrollojnë duan të mos ngrejnë dyshime. Fenomeni më i përhapur është në kryeqytet dhe zonat përreth por edhe në Durrës.

Një llampë TL për rritjen e bimës nga 400-600 vat që dyshohet se vijnë nga tregu i huaj, kap një vlerë deri në 10 mijë euro. Ato konsumojnë shumë energji, dhe për këtë ka pasur në disa raste edhe elektriçistë të arrestuar apo proceduar pasi trafikantët i paguajnë për të bërë lidhje të paligjshme.

Referuar burimeve policore, ky lloj aktiviteti që deri dje shihej si model britanik apo spanjoll, ka ndikuar në çmimet e drogës në Shqipëri. Duket se rritja e çmimit të energjisë, do ketë ndikim edhe tek narkotrafikantët pasi faturat do t’ju shkojnë më të shtrenjta, ç’ka i çon drejt gjetjes së rrugëve alternative. Farat e kanabisit që përdoren masivisht me qëllim prodhimin e shpejtë, janë 40 ditore.

“Zyrtarisht shtëpitë e barit në Shqipëri raportohen në mënyrë sipërfaqësore, pasi edhe nuk ka pasur goditje të shumta, por trendi është që të kthehet në një fenomen shqetësues”, tha një burim policor./Fax News

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re