Në takim me një grup maturantësh, në kuadër të Ditës në Qark, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Policisë dhe Komunitetit me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë publike.

 

“Nëse ne duam të ndërtojmë një shoqëri të sigurt, një shoqëri ku njeriu të ndihet mirë, duhet që policia të jetë pjesë e komunitetit. Dhe që të ndodhë kjo, policia duhet të përfshihet”, u shpreh ministri.

 

Ai e konsideroi sfidë çështjen e sigurisë publike dhe detyrë kryesore të Policisë së Shtetit, duke nënvizuar rëndësinë që ka parandalimi i krimit përmes bashkëpunimit me qytetarët.

 

“Policisë i duhen të rinj e të reja. Kështu që është shumë e rëndësishme që ju të mendoni për t’u bashkuar me Policinë e Shtetit në role të ndryshme. Për arsye se s’mund ta kërkojmë sigurinë që të na vijë nga të tjerët. Nuk mund të themi që – jo unë për vete nuk përfshihem, por sigurinë e dua. Sigurinë duhet ta ndërtojmë së bashku. Por në të njëjtën kohë duhet të jeni të bindur që përfshirja në Policinë e Shtetit është e lidhur me sfida të jashtëzakonshme”, u shpreh Lleshaj.

 

Në përgjigje të interesit të gjimnazistëve, për problematikat në infrastrukturën rrugore, ministri deklaroi se po kryhen investime, por njëkohësisht duhet korrigjuar edhe sjellja e përdoruesve të rrugës.

 

“Ka nevoja të jashtëzakonshme për investime në infrastrukturë, sinjalistikë. Përpjekje po bëhen, por në fakt duhen bërë paralel, duhet edhe sjellja jonë të ndryshojë. Duhet të bëjmë investime te sjellja jonë si drejtues mjetesh, por edhe si këmbësorë”, nënvizoi ai.

 

Lleshaj më tej u ndal edhe tek dhuna në familje.

 

“Një brez i ri mund të ndryshojë botën, jo të ndryshojë një raport me një polici ndoshta që është i papërgjegjshëm. Nëqoftë se do të thosha vetëm një fjali për policinë, është kjo: – Po ndërtuam marrëdhënie besimi me qytetarët, ne e kemi realizuar misionin tonë. Gjithçka më pas është shumë, shumë e thjeshtë. Krejt puna është të ndërtohet ky besim. Që të ndërtosh besimin, duhet të punosh fort, ta meritosh. Dhe tani është radha jonë. Detyra e Policisë është që të përshtatet me qytetarët dhe të ndërtojë një marrëdhënie besimi. Por ju lutem mos hezitoni për të ndjekur çdo rrugë. Dhe mos prisni që dhuna të vijë te ju. Duhet të shqetësoheni kur dhuna shkon te një tjetër, që s’e keni gjë fare. Te ajo shoqja e klasës me të cilën ndoshta s’ke lidhje fare, ose te komshiu a komshija. Nëqoftëse luftoni për të tjerët, dijeni që po luftoni më shumë për vete.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re