Ministri Lleshaj ishte për një vizitë ne Shkoder në shtëpinë e policit të rënë në detyrë Kolë Ndreshaj, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu, ku bëri apel që shoqëria shqiptare dhe jo vetëm shteti, të tregojnë solidaritet me familjarët e policëve të rënë në detyrë.

 

Me këtë rast, Ministri Lleshaj njoftoi se janë mbledhur fondet nga donacionet e pjesëtarëve të Policisë së Shtetit, për të rindërtuar shtëpinë e amortizuar ku jetojnë familjarët dhe fëmijët e Kolë Ndreshajt në Shkodër.

 

Në këtë takim u bë e njohur edhe krijimi i Fondacionit “Gjurmë”, i cili përbëhet nga fëmijët e policëve të rënë në detyrë, të cilët do të ndjekin problemet që ka secili prej tyre, me qëllim për t’i gjendur pranë aty që kanë më shumë nevojë.

 

Ministri Lleshaj deklaroi para medias se me krijimin e organeve të reja të drejtësisë, do të zbardhen dosjet e vjetra dhe sidomos ato të policëve të rënë në detyrë, duke gjetur e kapur autorët që mund t’i kenë shpëtuar dënimit.

 

 

Unë kam ardhur sot në familjen Ndreshaj për të parë si jetojnë pjesëtarët e familjes së një polici të rënë në detyrë në vitin 2010. I ndjeri Kolë Ndreshaj ka rënë në 26 gusht të 2010-ës dhe sot jemi vite mbrapa dhe erdha për të parë si jetoni.Kam pasur mundësinë, fatin  e mirë, por edhe të keq që gjatë këtyre muajve që jam në detyrë, të kontaktoj, të takohem me të gjithë familjarët e policëve të rënë në krye të detyrës dhe fatkeqësisht në Shqipëri kemi shumë policë që kanë rënë në krye të detyrës. Janë 224 dhe besoj e kuptoni vetë se sa fëmijë dhe të rinj kanë pasur fatin e keq që të humbin babain. Sot kemi ne përgjegjësinë për të bërë edhe babain dhe për t’u kujdesur për ta.Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme kanë marrë masa dhe janë përpjekur periodikisht, rregullisht për t’i mbështetur, për t’i ndihmuar me aq sa kanë qenë mundësitë, por ende nevoja mbetet shumë e madhe.Rasti i familjes Ndreshaj është vetëm njëri prej tyre. Pashë që jetojnë në kushte vërtet shumë të rënda, në një shtëpi e cila është sinonim i lagështisë. Muret bien sa t’i prekësh me dorë dhe pata mundësinë ose incidentin që të më bjerë dhe mua në dorë një pjesë e murit, dhe po mendojmë se çfarë të bëjmë. Për këtë qëllim, ne kemi menduar që krahas përpjekjeve institucionale, shtetërore të mundohemi të gjejmë dhe mënyra të tjera alternative për t’i ndihmuar familjet e policëve të rënë në krye të detyrës, sepse asnjëri prej nesh nuk mund të rrijë i qetë për sa kohë që familja e një njeriu, që ka dhënë jetën për atdheun, për ne, jeton në kushte jo dinjitoze.Kemi ndërmend të ndërhyjmë, të fillojmë një program të madh në të gjitha rastet, pra në të gjithë Shqipërinë, por do ta fillojmë këtu te familja Ndreshaj.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re