Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është rikthyer në pallatin 12 katësh në lagjen Beslidhja në Lezhë pas përplasjes me punonjësit e bashkisë.

 

Për ministrin Lleshaj, shqetësimet e ngritura nuk korespodojnë pasi pallati nuk ka asnjë problem me sigurinë. E për të përforcuar qëndrimin e tij, ministri tha se vetëm gjatë 24 orëve të fundit në pallatin 12 katësh janë bërë dy ekspertiza, një nga ekspertë shqiptarë dhe tjetra nga ekspertë izraelitë.

 

“Kam ardhur për të parë edhe njëherë shqetësimet që kanë ngritur banorët e këtij pallati. Po ta shkurtoja gjithë përkufizimin e kësaj situate, kësaj i thonë shumë zhurmë për asgjë. Në harkun e 24 orëve janë bërë dy ekspertiza, një nga ekspertë shqiptarë dhe një nga ekspertë izraelitë dhe konkluzioni është i njëjtë, – pallati nuk ka asnjë problem me sigurinë e tij. E gjithë zhurma e ngritur është një “shumë zhurmë, për asgjë”, e me këtë rast dua t’i ftoj të gjithë banorët e pallatit që të kthehen në shtëpitë e tyre, t’i kthehen jetës normale dhe të na lënë mundësi të merremi me problemet e shumta që ka në vendet e tjera. Problemet nuk janë në këtë pallat. Probleme ka shumë, tërmeti ka krijuar shumë probleme, por jo këtu.”

 

Sipas Ministrit, ekspertët nuk kanë konstatuar asnjë problem në lidhje me sigurinë e pallatit 12 katësh.

 

“Problemet janë gjetiu, janë në Laç, janë në Durrës, janë në Thumanë e të tjera. Këtu njerëzit duhet të kthehen në jetën e tyre të përditshme, sepse nuk ka asgjë për t’u shënuar dhe asgjë për t’u shqetësuar. Nuk ka asnjë problem me sigurinë  e këtij pallati të çertifikuar dy herë brenda 24 orëve, dhe banorët duhet të kthehen në shtëpitë e tyre. Dhe ju lutem të gjithë atyre që po e përdorin këtë kohë për të bërë zhurmë, të mos bëjnë zhurmë kot.”

 

Ministri u bëri apel qytetarëve që të rikthehen në banesat e tyre dhe të mos dëgjojnë lajmet e pavërteta e të pasakta.

 

“Ata që kanë mundësi për të ndihmuar, le të bashkohen me forcat që po ndihmojnë, ashtu siç kanë ardhur njerëz e ekspertë nga gjithë bota, për të na ndihmuar, lus të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë,-  të ndihmojnë, – dhe lus të gjithë ata që nuk kanë ndërmend të ndihmojnë, – të paktën të heshtin dhe të mos përhapin, as panik, as të mos ngatërrojnë. Kjo është ajo që kërkohet. Ose të ndihmojnë, ose të tërhiqen dhe të mos ngatërrojnë njerëzit. Vëllezër e motra, të gjithëve ju ftoj edhe njëherë: – kthehuni në shtëpitë tuaja, pallati është i qendrueshëm, i konfirmuar dy herë, nga dy palë ekspertësh, shqiptarë dhe izraelitë! Ju ftoj të ktheheni në shtëpitë tuaja dhe mbyllni veshët për çdo njeri që përhap lajme të pavërteta dhe të pasakta. Ju faleminderit!”

I pranishem ne inspektim ishte dhe kryebashkiaku i Lezhes, Pjerin Ndreu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re