Pavarësisht debateve që shkaktoi këtë javë në Komisionin e Sigurisë propozimi për disa ndryshime në ligjin e Policisë, që i jep të drejtën për të kryer përgjime pa lejen e Prokurorisë, ministri i Brendshëm i mbrojti edhe dje këto propozime me arsyetimin se parandalojnë krimin.

Sipas Sandër Lleshajt, Policia është vetë një organ ligjzbatues dhe si i tillë ka detyrën dhe përgjegjësinë për të ushtruar parandalimin e krimit dhe kjo tashmë është një mundësi që po i jep qeveria.

I pyetur nga gazetarët pas ceremonisë së 1-vjetorit të operacionit me FRONTEX në Kakavijë, nëse përgjimet do të bëhen pa lejen e Prokurorisë, Lleshaj këmbënguli që Policia është edhe vetë organ ligjzbatues.

“Ne s’kemi nisur ndonjë plan për survejimin e të gjithë shtetasve shqiptarë në Parlament. Nuk ka një plan të tillë, të survejojmë shtetasit shqiptarë. Janë dhënë alarme nga ata që ende nuk janë njohur me iniciativën e qeverisë, e cila synon vetëm t’i krijojë Policisë mundësitë për të ushtruar funksionet e saj në drejtim të parandalimit të krimit”, u shpreh Lleshaj.

Sipas tij, këto janë funksione të natyrshme të çdo Policie, që në raste të nevojës për parandalim, të mund të ndjekë një person, i cili duhet ndjekur, në kushtet e parandalimit, konform përcaktimeve të qarta ligjore. “Policia është një organ ligjzbatues i këtij shteti, e cila ka detyrë ekskluzive parandalimin e krimit. Dhe në funksion të këtij parandalimi, Policia do të ketë edhe këto instrumente në dorë”, theksoi ministri i Brendshëm.

DEBATI NE KOMISION

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014, ‘Për policinë e shtetit’”, të ndryshuar në Komisionin e Sigurisë, prodhoi debat mes ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, dhe deputetëve të maxhorancës.

Përtej shpjegimeve të ministrit lidhur mbi nevojën që ka Policia për të bërë përgjime ambientale në funksion të parandalimit të krimit, deputetët ngritën shqetësime në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut dhe një rrezik për tejkalim kompetencash për Policinë. Gjatë mbledhjes së zhvilluar, më kritikët ishin deputetët Qefalia dhe Xhina, kur me këtë të fundit nuk mungoi edhe një përplasje në distancë, pasi ministri nuk i priti dhe aq mirë vërejtjet që deputetja e dalë nga listat e PDIU bëri për projektligjin.

“Çështja e dytë e këtij projektligji ka të bëjë me krijimin e disa instrumenteve në funksion të Policisë për kryerjen e hetimeve policore. Janë disa ndryshime të vogla dhe konsistojnë në përgjimin ambiental të bisedave personave në ambiente publike dhe në mjete të transportit publik. Ligji i jep mundësinë për të bërë përgjimin Policisë për të përdorur në funksion të këtij përgjimi ambiental për fotografimin ose kapjen me video të personave. Për përgjimet telefonike mbetet i pandryshuar dhe ai ligj nuk preket”, tha Lleshaj në komision.

NDRYSHIMET E PROPOZUARA

1. Gjatë veprimtarisë informative-gjurmuese ose të një procedimi policor, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave penale të autorëve të tyre, Policia e Shtetit përdor këto masa të veçanta:

a) Përgjimin ambiental të bisedave të personave në ambiente publike, si dhe në mjete të transportit publik;

b) përdorimin e pajisjeve teknike për fotografimin, filmimin ose me video të personave në vende publike dhe përdorimin e pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes;

c) përgjimin e bisedave telefonike ose telekomunikimeve, që rregullohet me ligj të veçantë;

ç) mbikëqyrjen e fshehtë të personave të dyshuar për kryerjen e veprimtarive kriminale.

2. Përdorimi i masave të veçanta, të parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “ç” të pikës 1 të këtij neni, bëhet me vendim të miratuar nga titullarët e strukturave të Policisë, në nivel drejtorie qendrore e vendore.

3. Afati i përdorimit të masave të veçanta, të parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c” të pikës 1 të këtij neni, nuk mund t’i kalojë 3 (tre) muaj. Kur këto masa përdoren për kryerjen e veprimtarisë informative-gjurmuese ose gjatë procedimit policor, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e krimit të organizuar apo të krimeve të rënda, me kërkesë të drejtuesit të strukturës policore përkatëse, afati i përdorimit mund të zgjatet vetëm 1 (një) herë me 3 (tre) muaj të tjerë.

4. Rregullat dhe procedurat që zbatohen për përdorimin e masave të veçanta, të parashikuara në shkronjat “a” e “b” të pikës 1 të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Panorama

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re