Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi inspektim në zonën e Lagunës së Kune Vainit dhe Tales, në kuadër të masave për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ministri paralajmëroi nga Lezha, nisjen në ditët në vijim të një operacioni në shkallë kombëtare për mbrojtjen e mjedisit.

Sipas tij, ndëshkimi ndaj shkelësve apo dëmtuesve të mjedisit do të jetë në dy plane, IKMT do të marrë masa administrative, ndërkohë paralelisht Policia e Shtetit do të hapë hetime penale për vepra kriminale në dëm të mjedisit.

Prononcimi i ministrit Lleshaj gjatë inspektimit:

Në radhë të parë, vëmendja do të përqëndrohet tek të gjithë vijat ujore, tek lumenjtë e vendit, të cilët duhet të çlirohen nga derdhja e ujërave të zeza dhe derdhja e inerteve, të cilat janë shndërruar në një plagë të rëndë me pasoja të mëdha për mjedisin.Në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, në bashkëpunim ndërmjet Policisë dhe IKMT-së do të zhvillohen inspektime dhe opreacione të forta për të ndaluar çdo dëmtim, i cili ka ndodhur dhe vijon për fat të keq të ndodh në ndotjen e lumenjve.Po ashtu me vëmendje të madhe do të ndiqet edhe çështja e guroreve, e minierave, si edhe e pyjeve me qëllim që veprimtaria kriminale dëmtuese ndaj tyre të marrë një goditje të rëndë.Për çdo rast kur konstatohen ndërhyrje të paligjshme, derdhje mbeturinash, derdhje inertesh, derdhje ujrash të zeza, në lumenj do të veprohen në dy plane. Së pari, IKMT-ja do të marrë masat administrative përkatëse, pra gjobat përkatëse. Ndërkohë që paralelisht Policia e Shtetit do të hapë hetime penale për vepra kriminale në dëm të mjedisit që parashikohen nga Kodi Penal i RSH.

Lleshaj shoqërohej ne kete inspektim nga Prefekti i Lezhës Gjok Jaku, Kryetari i Bashkisë Pjerin Ndreu, Kryeinspektorja e IKMT Dallëndyshe Bici dhe Drejtori i policise se Lezhës Henerigert Mitri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re