Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në mbledhjen online të Komisionit të Sigurisë ka deklaruar se punonjësit mbi 55 vjeç në radhët e Policia së Shtetit, Gardës së Rrepublikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat do të lirojnë vendet e tyre të punës.

Sipas tij, kjo do të ndodhë sapo të kalojë në Kuvend dhe të miratohet ligji i paraqitur nga ministria e Brendshme. Ky ligj tashmë është miratuar edhe nga Komisioni i Sigurisë. Ai theksoi më tej se të larguarit nga puna do të trajtohen financiarisht.

“Nga radhët policisë të largohen ose me kërkesën e vetë punonjësit të policisë ose me vendim të autoriteteve drejtuese të saj punonjësit e policisë që kanë mbushur moshën 55 vjeç, ose që kanë plotësuar 30 vite shërbim në radhët e policisë.

Sot ne kemi në nivelin bazë të policisë oficerë që janë mbi 50 vjec, në gradat e ulëta, në gradat, nënkomisar, grada inspektorëve, që janë 60 vjec.

Synimi është që të preket kjo fashë e gradave, njerëz që janë në terren, njerëz që duhet se s’bën të lëvizin. Pas largimit nga radhët e policisë, këta punonjës të shtetit parashikohet të trajtohen financiarisht me 50% të pagës neto”, tha Lleshaj.

Gjatë mbledhjes, deputetët kërkuan që pjesë e ligjit të ishin edhe punonjësit e zjarrfikëses. Po kështu, ata theksuan se të larguarit nga puna do të marrin gjysmën e pagës dhe do të ketë të ardhura të pakta në muaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re