Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka zhvilluar një takim dypalësh me zv/kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm kroat, Davor Božinović.

 

Takimin e ka njoftuar vetë ministri Lleshaj, në një postim në “Facebook”, ndërsa shprehet se në fokus të diskutimeve ishin marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë e Kroacisë. Lleshaj ka theksuar gjithashtu se gajte takimit me homologun kroat ka marrë mbështetjen e padiskutueshme të Kroacisë për perspektivën Europiane të Shqipërisë dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian.

 

Ministri ka njoftuar gjithashtu se veç takimit me homologun kroat, ka marrë pjesë edhe në Konferencën Shkencore Albanologjike “Symbiosis on the shores of the Adriatic Sea”. Konfernecë e organizuar nga Revista “Shejzat – Pleiades” dhe Universiteti i Zadarit ku u prezantuan rezultate të rëndësishme të kërkimit shkencor nga autoritetet më kompetente të albanologjisë në fushën e studimeve shqiptare.

 

“Pas një takimi dypalësh në Zadar, me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm të Kroacisë Dr. Davor Božinović, ku diskutuam rreth marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kroacisë, së bashku morëm pjesë dhe përshëndetëm Konferencën Shkencore Albanologjike “Symbiosis on the shores of the Adriatic Sea”. Kjo konferencë, e organizuar nga Revista “Shejzat – Pleiades” dhe Universiteti i Zadarit, është e treta në serinë e aktiviteteve të rëndësishme për albanologjinë dhe përfaqëson një platformë unike në llojin e vet, duke mbledhur kontributin shkencor të studiuesve më në zë, të albanologjisë nga Universitetet dhe Qendrat prestigjioze europiane të kërkimit, nën koordinimin e palodhur dhe profesional të Prof. Dr. Ardian Ndreca. Në “Aula Magna” të Universitetit të Zadarit u prezantuan rezultate shumë të rëndësishme të kërkimit shkencor nga autoritetet më kompetente të albanologjisë duke shënuar një hap tjetër të suksesshëm në fushën e studimeve shqiptare. Bashkë me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm të Kroacicë Dr. Davor Božinović, patëm edhe një komunikim me mediat, ku u vlerësua veçanërisht bashkëpunimi në kuadër të FRONTEX dhe EUROPOL për luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe migracionit të paligjshëm. Dr. Božinović ritheksoi mbështetjen e padiskutueshme të Kroacisë mike për perspektivën Europiane të Shqipërisë dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian. Vizita në Zadar ishte një mundësi e bukur për të njohur edhe disa gjurmë të rëndësishme shqiptare, që lidhen me praninë e gjatë të komunitetit arbëresh në këtë qytet”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re