Gjykata e Apelit shtyn për 23 prill seancën ndaj kreut demokrat Lulzim Basha, ish-sekretarit të Përgjithshëm Arben Ristani dhe financierit të PD-së Ilir Dervishi për çështjen e lobimin rus në SHBA. Kjo seancë u shty, edhe për shkak se mungonte një anëtar i trupës gjykuese dhe një prokuror. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka nxjerrë një vendim për pezullim të gjyqeve dhe vetëm për rastet emergjente. Ky vendim ka sjellë edhe shtyrjen e seancës së parashikuar këtë të enjte.

Shorti ka zgjedhur Fatmira Hajdarin, ish-bashkëshorten e Azem Hajdarit, për të gjykuar nëse vendimi i marrë nga gjyqtari Lazër Sallaku që pushoi hetimin ndaj kryedemokratit Basha është i drejtë ose jo.

Gjyqtari Lazër Sallaku i cilësoi provat të pavlefshme duke rrëzuar akuzën për falsifikim kundër Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD-së, pasi sipas tij nuk faktohet një gjë e tillë. “Nuk ka asnjë aktmarrëveshje mes Muzin dhe Partisë Demokratike. Nuk ka prova që Muzin ka marrë 500 mijë dollarë nga PD dhe 150 mijë dollarë Biniada Trade”, shprehej gjykata në vendim.

Prokuroria nuk ishte dakord dhe vendosi ta apelonte ndërkohë që grupi i prokurorëve u nda në dy qëndrime ku njëri prej tyre, Kol Hysenaj, kërkoi rikthim të akteve për vijimin e hetimeve ndërsa tjetri vazhdimin e gjykimit. Tashmë verdikti final për këtë çështje pritet të merret nga Gjykata e Apelit, nëse do të lërë në fuqi vendimin e Lazër Sallakut apo do të pranojë kërkesën e një prej prokurorëve për të rikthyer aktet për hetim. Fatmira Hajdari është ish-bashkëshortja e deputetit demokrat Azem Hajdari. Vajza e saj, Rudina Hajdari, ish-deputete e PD-së, nuk pranoi të digjte mandatin dhe tashmë është pjesë e opozitës së re parlamentare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re