Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar se Greqia dëshiron të forcojë mbrojtjen e saj, në një kohë të tensioneve në rritje me Turqinë rreth aktiviteteve në Mesdheun lindor.

Athina ka në plan të blejë 18 aeroplanë luftarakë francezë Rafale, njoftoi udhëheqësi grek gjatë një fjalimi televiziv.

“Ka ardhur koha për të forcuar forcat tona të armatosura. Ky është një program i rëndësishëm që do të krijojë një mburojë kombëtare”, tha udhëheqësi grek në qytetin port të Selanikut, duke shtuar se do të krijonte mijëra vende të reja pune, raporton France Presse.

Greqia planifikon të sigurojë katër fregata ekzistuese. Numri i ushtarëve për to do të rritet me 15 mijë, si dhe stoku i raketave anti-ajrore, silurëve dhe municioneve të tjera.

Mosmarrëveshja me Turqinë

Greqia dhe Qipro kanë qenë në mosmarrëveshje me Turqinë për muaj me radhë për pjesë të Mesdheut lindor që të tre vendet pretendojnë se kanë të drejtë të kërkojnë dhe shpojnë për gaz natyror.

Mitsotakis akuzoi Turqinë për “kërcënimin” e kufijve grekë dhe rrezikimin e sigurisë rajonale.

Mosmarrëveshja në Mesdhe rezultoi që Turqia të dërgonte anije kërkimore në ujërat e diskutueshme, pas së cilës aleatët nga Bashkimi Evropian dërguan anijet e tyre në ato zona dhe Ankaraja dhe Athina kryen manovra ushtarake.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan sulmoi të shtunën homolohun francez Emmanuel Macron për kritikimin e tij.

“Mos luani me popullin turk, mos luani me Turqinë,” tha Erdogan në Stamboll, duke paralajmëruar udhëheqësin francez se “nuk i dëgjoi” paralajmërimet.

Turqia nuk është “një partner” në Mesdhe

Macron njoftoi më parë këtë javë se Turqia, një nga anëtarët më të fuqishëm ushtarakisht të NATO-s, nuk është më një “partner” në Mesdhe për shkak të pretendimeve të saj territoriale dhe kërkimit të gazit në ujërat që i përkasin Greqisë dhe Qipros.

Macron e tha këtë gjatë një takimi jozyrtar me anëtarët jugorë të BE që paralajmëroi Turqinë të mos ndërmarrë “veprim të njëanshëm” në Mesdhe.

Anija turke e kërkimit Oruc Reis është ende në brigjet e Qipros, por pritet të largohet nga zona të shtunën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re