Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi këtë fundjavë në Lushnje, ku 13-vjeçari u var brenda në dhomë, pas një videoje që po realizonte për ta postuar në tik tok.

Karamuço ka zbuluar emrin e kësaj loje, dhe shtetet europiane që po reagojnë në masë të madhe për ta ndaluar këtë lojë të rrezikshme, që mori dhe jetën e parë në vendin tonë. Ai iu bën prindërve që të jenë më vigjilentë me fëmijët e tyre.

“Fatkeqësisht ajo vrau sërish në Shqipëri. Loja “Blackout Challenge” në Tik Tok, mori jetën e dytë të një të mituri 13 vjeçar në Lushnjë, ndërsa një 10 vjeçar në Shkodër vdiq vetëm 6 muaj më parë. Loja e mallkuar është ende e panjohur për autoritetet tona.

Ajo po nxit në mënyrë kriminale fëmijët të asfiksohen për zbavitje dhe garë midis tyre. Kjo duhet ndaluar me çdo kusht, siç po bëjnë shumë shtete evropiane.

Apel prindërve të jenë vigjilent…. Apel gazetarëve për sensibilizim publik….”, shkruan Karamuço në postimin e tij në rrjetet sociale.

13-vjeçari nga fshati Golem i Madh i Lushnjës, i cili u gjet i vetëvarur në dhomën e tij nga familjarët pasditen e së shtunës u dyshua fillimisht se ka humbur jetën për shkak të një sfidë që realizohet në aplikacionin në Tik-Tok. Pavarësisht se kjo ishte një nder pistat më të forta ku janë përqendruar hetuesit, ekspertet janë duke këqyrur edhe profilin e te miturit ne aplikacionin tik-tok ku rezulton se ai ka shpërndarë video, ku flitet për vetmi të thellë.

I mituri shkruante se “vetmi nuk do të thotë të jesh vetëm, por të kesh një zemër të vetmuar”, “jeta ime është mbushur me errësirë, prandaj unë rri në errësirë”. Ndërkohë në një tjetër video shkruante; “jetë pa lidhje, probleme pa zgjidhje, botë me shumë ngjyra, njerëz me dy fytyra”.

Nisur nga këto shprehje grupi hetimor ka dalë në konkluzion se 13-vjeçari ka kryer një vetëvrasje në kushtet e depresionit. Edhe pse nuk ka një version zyrtar të policisë për ngjarjen, ajo çfarë tregojnë jashtë kamerës shokët e të miturit, mësohet se Arjeti ishte një nxënës shembullor dhe zëvendës senator i klasës, por një përdorues shumë i rregullt i rrjeteve sociale.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re