Një oficer i policisë në Londër, Britani e Madhe, u dënua sot me burgim të përjetshëm për rrëmbimin, përdhunimin dhe vrasjen e një gruaje në rastin i cili tronditi vendin.

Wayne Couzens, 48-​​vjeç, u akuzua se duke shfrytëzuar identifikimin e tij policor dhe ligjet që lidhen me masat e COVID-19 ka mashtruar 33-vjeçaren Sarah Everard në automjetin e tij në një arrestim të rremë derisa ajo po dilte nga shtëpia për të vizituar një mike në jug të Londrës më 3 mars. Ai prangosi Everard me pretekstin se ajo theu masat e COVID, e çoi atë jashtë kryeqytetit dhe më pas e përdhunoi dhe e vrau.

Couzens ishte deklaruar fajtor për akuzat e rrëmbimit, përdhunimit dhe vrasjes.

Gjykatësi Adrian Fulford tha se rrethanat e rastit janë “shkatërruese, tragjike dhe tërësisht brutale”. Ai tha se Couzens “ishte lëshuar pas një femre të vetme për ta rrëmbyer dhe përdhunuar”, pasi kishte planifikuar krimin në detaje të zymta “të papërshkrueshme”.

Trupi i Everard u gjet në pyje në Ashford të Kent, rreth 100 kilometra në juglindje të Londrës, një javë pas zhdukjes së saj. Prokurorët thanë se Couzens e mbyti atë para se t’i vinte zjarrin trupit.

Couzens iu bashkua Policisë metropolitane në vitin 2018 dhe kishte punuar si pjesë e një ekipi që mbronte vendet diplomatike në Londrën qendrore. Ai kishte punuar në ndërrimin e natës në ambasadën e SHBA-së ditën kur rrëmbeu Everard.

Policia metropolitane ka thënë se ishte “e neveritur, e zemëruar dhe e shkatërruar” për faktin se si një pjesëtar i tyre ishte përgjegjës për krimin.

Pas vrasjes së Everard, u ngritën shumë pyetje në lidhje me besimin në polici dhe se si policia i kontrollon zyrtarët e saj. Disa kritikuan gjithashtu Scotland Yard për mos angazhimin e mjaftueshëm për të mbrojtur gratë dhe vajzat dhe trajtimin e akuzave për dhunë seksuale.

Pas arrestimit të Couzens, doli se ai ishte akuzuar për ekspozim të pahijshëm të paktën 2 vjet para se të vriste Everard ndërsa policia po hetohet nëse akuzat janë trajtuar si duhet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko