Britania ka marrë kryesimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ka vendosur Kosovën në rend dite, por ka qenë Rusia dhe Kina që kanë kërkuar heqjen nga axhenda, çka kanë të drejtë proceduriale ta bëjnë.

Lajmin e ka bërë të ditur shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç në një prononcim televiziv.

“Nuk do të ketë zgjidhje e çështjes së Kosovës me imponim por vetëm me negociata. Tashmë kjo çështje është futur edhe në axhendën e OKB-së. Ata Fuqi të Mëdha që kërkojnë të na japing një variant të tipit ‘mere ose lëre’, e kanë kuptuar se kjo tezë ka dështuar”, tha Daçiç.

Prej 10 vjetësh Kosova ka qenë çështja kyçe që është diskutuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së sa herë është thirrur ministri i Jashtëm serb.

Por këtë vit diçka ka ndryshuar dhe kjo duket se ka një lidhje edhe me manovrat që Uashingtoni po bën për të krijuar një korridor me Moskën.

Ky korridor duket qartë se parashikon negociata ku përfshihen shkëmbimet e territoreve, pra një marrëveshje kufijsh, apo ajo që Albin Kurti e ka quajtur një “Londër e re”.

Dhe si për koiçidencë, pikërisht Londra zyrtare ka të drejtën e organizimit të axhendës së bisedimeve, ku Moska ndoshta nuk do të jetë palë, por padyshim që do të jetë “levë diplomatike”. Ndaj Iviça Daçiç ka marrë zemër.

Siç bën të ditur Tanjug, në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit, Kosova do të diskutohet në dyer të mbyllura për të arritur një pakt mes Fuqive të Mëdha dhe jo një përplasje live tv.

Konferenca e Londrës e vitit 1913, ka qenë pak a shumë e tillë: një sesion i fshehtë që mori vendime të cilat nuk u bënë publike, e duket se ka mjaft ngjashmëri me metodën që sapo ka nisur… 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re