Gazeta e përditshme franceze L’Opinion ka raportuar se pas Sirisë dhe Libisë, Malësia e Karabakut përbën një tjetër dështim për Francën.

L’Opinion tha se marrëveshja e armëpushimit dhe deklarata e përbashkët e mbrëmjes së kaluar zbuluan një humbje të rëndë për Armeninë.

Duke theksuar mbështetjen turke për Azerbajxhanin dhe komunikimin e vazhdueshëm midis presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit rus, Vladimir Putin, e përditshmja franceze pretendoi se Perëndimi, përfshirë Franca dhe SHBA, janë përjashtuar nga “loja diplomatike”.

L’Opinion po ashtu pohoi se çështja e Malësisë së Karabakut është një tjetër dështim për Francën pro-armene dhe anti-turke pas Sirisë dhe Libisë.

“Epërsia e Azerbajxhanit ndaj Armenisë u bë e qartë në ditët e para të përplasjeve të armatosura. Efikasiteti i pajisjeve ruse kundër teknologjisë turke qëndroi mjaft i kufizuar”, theksoi e përditshmja.

Mbrëmë vonë, Putin njoftoi se dy ish-republikat sovjetike nënshkruan një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit në Malësinë e Karabakut.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, përshëndeti marrëveshjen duke e quajtur fitore për vendin e tij. Ai theksoi se suksesi ushtarak i Bakut i mundësoi vendit të fitojë një epërsi të lartë për t’i dhënë fund pushtimit tre-dekadësh të territorit të Azerbajxhanit.

Lidershipi turk po ashtu mirëpriti armëpushimin, duke e quajtur atë një “fitore të madhe” për Azerbajxhanin.

Marrëdhëniet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë mbi Malësinë e Karabakut kanë mbetur të tensionara që nga viti 1991, por përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator.

Armenia në mënyrë të përsëritur për mbi 40 ditë sulmoi civilët dhe forcat azerbajxhanase, madje duke shkelur tre marrëveshje humanitare të armëpushimit.

Përveç qyteteve dhe fshatrave të tjerë, çlirimi nga Baku i qytetit strategjik Susha të dielën sinjalizoi se fitorja ishte afër.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re