Gazetari Lorenc Vangjeli bëri një analizë rreth zhvillimeve në Partinë Demokratike, ku ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur një luftë frontale me kreun aktual Lulzim Basha, tashmë dhe për fronin e demokratëve.

Sipas Vangjelit, SHBA i dha Bashës një shpatë kundër Berishës, por nuk i dha krahun, ndërsa shtoi se ish-kryeministri nuk po e ndëshkon Bashën për çfarë ka bërë, por po kërkon të marrë drejtimin e partisë për ta përdorur si bunker.

“E rëndësishme është çfarë ndodh nesër. Ka një lëvizje politike e cila do sërish një përgjigje politike dhe jo fshehje mbas teknikaliteteve të statutit. Në statut kur hidhet një hap duhet menduar dhe hapi pasardhës. Le të supozojmë se demokratët do të ndahen 51 me 49% ndërmjet dy palëve.

Çfarë do të ndodhë me këtë shumicë? Do ta përjashtojë tjetrën, do ta përputhë apo do të përthithen? Këto janë probleme kur palët duke dashur të bëjnë një gjysmë hapi shmangen të përgjigjen.

Amerikanët i dhanë zotit Basha një shpatë, por nuk i dhanë krahun dhe ky është problemi që po ndodh. Ndërkohë që zoti Berisha po ndëshkon pasardhësin e tij për t’i kërkuar vendin dhe jo shëruar PD, por për ta pasur si mburojë”, u shpreh Vangjeli për A2.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re