L’Osservatore Romano, gazeta zyrtare e Vatikanit e ka vlerësuar situatën në Shqipëri me tensione gjithnjë e në rritje dhe me rrezikun e një vale të re eksodi ashtu si në ‘90.

 

Në një artikull kushtuar Shqipërisë, L’Osservatore Romano duke u ndalur tek situata e vështirë politike në vend ngre shqetësimin se komuniteti europian ka filluar ta shoh vendin tonë me syrin mosbesues si një vend të dhunshëm dhe të paaftë që të vendosë drejtësi e të ndjekë politkat e duhura.

 

Gazeta e Vatikanit shprehet gjithashtu se degjenerimi I protestave nga opozita mund të vendosë në rrezik integrimin e vendit.

 

 

Shkrimi i plotë i gazetes zyrtare te Vatikanit L’Osservatore Romano:

 

Vazhdojnë protestat kundër qeverisë

 

Tensione gjithmonë e më të larta në Shqipëri

 

22 mars 2019. Një tjetër manifestim proteste me mijëra pjesmarrës u zhvillua dje në kryeqytetin shqiptar, para selisë së Parlamentit. Manifestimet po mbahen me nismën e Partisë Demokratike, formacion opozitar i qendrës së djathtë, i udhëhequr nga Lulzim Basha, tashmë figura-simbol e protestave që prej javësh po vlojnë në Tiranë.

 

Duke denoncuar kthimin e Shqipërisë në stadin e varfërisë, Basha ka kërkuar largimin e qeverisë së drejtuar nga socialisti Edi Rama, i akuzuar për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar; largim që do t’i mundësonte vendit te shkonte ne zgjedhjeve të parakohshme.

 

Në mbrojtje të selisë së parlamentit ishin angazhuar rreth 700 forca policore. Gjatë mobilizimeve të mëhershme, protestat u shndërruan herë pas here edhe në përplasje të dhunshme, çka solli që policia të përdorte gazin lotsjellës dhe makinat e ujit për të zbrapsur protestuesit që kërkonin të hynin në selinë e parlamentit apo në atë të qeverisë.

 

Nga ana e saj, qeveria vijon të këmbëngulë se sjellja e opozitës është një pretekst për të vështirësuar çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, vendim i planifikuar për t’u marrë qershorin e ardhshëm.

 

Pikërisht lidhur me këtë temë, po rritet droja në Bruksel se degjenerimi i protestave mund të vërë me të vërtetë në rrezik nisjen e negociatave. Para disa ditësh, një delegacion i BE-së që ishte në Tiranë konfirmoi të drejtën themelore të të gjithë qytetarëve shqiptarë për të protestuar paqësisht, pa përdorur dhunë, duke saktësuar se “asnjë akt dhune nuk do të ishte i tolerueshëm”. Anëtarët e delegacionit kritikuan zgjedhjen e opozitës për t’u larguar nga parlamenti dhe u bënë thirrje të dyja palëve që të tregonin përgjegjshmëri. Kapërcimi i krizës aktuale politike dhe ndërtimi i një platforme kombëtare dialogu ku të marrin pjesë të gjitha palët e interesuara është propozimi i ardhur nga Bashkimi Evropian.

 

Ekziston rreziku që Shqipëria të shihet sërish nga komuniteti ndërkombëtar me syrin mosbesues që shpesh e ka klasifikuar vendin ballkanik si të dhunshëm dhe të paaftë të vendosë drejtësi e të ndjekë politikat e duhura sociale. Gjithsesi, situata e brendshme është ndryshe nga 1997-a, kur pas një vale protestash të forta, vendi u zhyt në anarki.

 

Sot populli shqiptar po tregon maturi dhe duket se vendi ka nxjerrë mësimet e duhura nga historia. Por prapëseprapë mbetet droja se nëse do të vijojë të mos garantohet funksionimi i shtetit të së drejtës, do të përballemi me një tjetër “Rasti Shqipëria”, që vjen së bashku me rrezikun e një vale emigrimi të ngjashme me atë të viteve ’90.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re