Pesëmbëdhjetë marinarë turq të rrëmbyer nga piratët në Afrikën Perëndimore muajin e kaluar janë kthyer në Turqi.

Pengjet e lëshuara u pritën në aeroportin e Stambollit nga familjet e tyre, si dhe ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu pas 21 ditësh në robëri.

Anija “Mozart” po lundronte nga Lagos në Nigeri për në Kejptaun në Afrikën e Jugut nën flamurin liberian kur u sulmua më 23 janar, 185 milje detare në veriperëndim të ishujve të Sao Tome dhe Principe.

Një anëtar i ekuipazhit, një shtetas azerbajxhanas, u vra gjatë sulmit.

Tre marinarët turq që mbetën në bordin e “Mozart” u kthyen në Turqi muajin e kaluar.

“Pas 21 ditësh, ne jemi të lirë dhe po përjetojmë lumturinë e bashkimit me familjet tona,” tha kapiteni Mustafa Kaya pasi përqafoi gruan dhe dy djemtë e tij.

Ekuipazhi u mbajt nën roje të armatosur në kushte të vështira në pyll, tha ai.

Përveç përjetimit të stresit psikologjik për shkak të robërisë, asnjë nga marinarët nuk u plagos, vuri në dukje Kaya.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re