Si do bëhen regjistrimet dhe kriteret si duhet të jetë fotoja
Duke filluar nga mesdita e nesërme, të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për programin e Lotarisë Amerikane 2020, duke plotësuar të dhënat përkatëse në formularin online. Në udhëzuesin e zbardhur nga Ambasada Amerikane në vendin tonë, bëhet e ditur se: “regjistrimet për programin e lotarisë duhet të kryhen në mënyrë elektronike në adresën www.dvlottery.state.gov, duke nisur nga mesdita e së mërkurës datë 3 tetor, për të vijuar deri në mesditës e ditës së martë 6 nëntor”. Kohë e cila konsiderohet e mjaftueshme për të përballuar numrin e lartë të aplikimeve që bëhen në sistem.
Për të pasur më shumë shanse në përzgjedhje, ekspertët japin këshillat në lidhje me kujdesin që duhet të tregoni jo vetëm në kohën e aplikimit, arsimimin dhe edukimin që duhet të keni, por edhe me kushtet specifike të fotografisë që duhet t’i bashkëngjisni formularit online.
Koha më e mirë për të aplikuar!
“Mos prisni deri në javën e fundit të periudhës së regjistrimit, pasi kërkesat e shumta mund të shkaktojnë mbingarkesё të faqes së internetit. Aplikimet me letër, ose aplikimet e vonuara nuk do të pranohen. Ligji lejon vetëm një regjistrim për çdo person gjatë periudhës së regjistrimit. Departamenti i Shtetit përdor teknologji të sofistikuar për t’u vënë në dijeni të regjistrimeve të shumëfishta. Individët që kanë aplikuar më shumë se një herë gjatë një periudhe regjistrimi do të skualifikohen”, detajohet në udhëzimin e aplikimeve. Regjistrimet e papërfunduara nuk do të pranohen. Në çdo rast aplikimi online bëhet falas.
Plotësimet abuzive
“Ju rekomandojmë fuqimisht të plotësoni vetë formularin e regjistrimit, pa ndihmën e një “këshilluesi për viza”, “agjenti të vizave” ose personave të tjerë që ju ofrojnë ndihmë. Nëse është dikush tjetër që ju ndihmon, duhet të jeni të pranishëm në momentin e përgatitjes së regjistrimit, në mënyrë që t’u përgjigjeni të gjitha pyetjeve në mënyrë sa më saktë, si dhe të merrni fletën e konfirmimit dhe numrin e identifikues”, vënë në dukje ekspertët. Sipas tyre, është shumë e rëndësishme që të pajiseni me faqen e konfirmimit dhe numrin e konfirmimit. Kjo pasi pa këtë informacion, nuk do të jeni në gjendje të hyni në sistemin online, i cili do t’ju informojë mbi statusin e regjistrimit tuaj, nëse jeni shpallur fitues ose jo. “Duhet të jeni të kujdesshëm në rastin kur dikush ofrohet të ruajë fletën tuaj të konfirmimit dhe numrin tuaj të konfirmimit. Ju gjithashtu duhet të keni akses tek posta elektronike që keni vendosur tek regjistrimi juaj në E-DV”, detajohet në udhëzim.
Kodi që duhet të ruani!
Pasi të keni dorëzuar elektronikisht regjistrimin e plotë, juve do t’ju shfaqet një faqe konfirmimi, e cila përmban emrin tuaj dhe numrin tuaj unik të konfirmimit. Printojeni këtë faqe dhe ruajeni. Duke filluar nga 7 maji 2019, ju do të mund të kontrolloni statusin e regjistrimit tuaj në faqen zyrtare ëëë.dvlottery.state.gov, duke klikuar mbi “Kontrollin e Statusit të tё Regjistruarit” dhe duke futur numrin unik të konfirmimit dhe informacionin personal. Kontrollimi i këtij statusi do të jetë e vetmja formë për të parë nëse jeni shpallur fitues të këtij programi për të vijuar me procedurat e mëtejshme deri në marrjen e vizës së emigrimit.
Përzgjedhja e aplikantëve
Bazuar në shpërndarjen e vizave tё disponueshme për çdo rajon dhe shtet, individët do të përzgjidhen
rastësisht nga kompjuteri ndërmjet aplikimeve të gjitha aplikimeve të kualifikuara. Sipas afateve të përcaktuara, kontrolli i Statusit të tё Regjistruarve do të jetë në dispozicion në faqen
e internetit të E-DV www.dvlottery.state.gov duke filluar nga 7 maji 2019-s, deri tё paktën më 30 shtator 2020. Nëse aplikimi juaj është përzgjedhur, ju do të drejtoheni tek një faqe konfirmimi që do t’ju japë udhëzime të mëtejshme, përfshirë informacione për pagesat lidhur me procedurat e emigracionit për në Shtetet e Bashkuara. Autoritetet e Departamentit të Shtetit bëjnë me dije se nuk do të
dërgojnë letra njoftimi, ose të njoftojnë të përzgjedhurit me email. As ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe konsullatat nuk do të sigurojnë lista për të përzgjedhurit. Edhe individët të cilët nuk janë të përzgjedhur gjithashtu do të njoftohen vetëm nëpërmjet kontrollimit të statusit të regjistrimit me kodin e ruajtur që gjatë fazës së aplikimeve.
Po nëse humbas numrin tim të konfirmimit?
Ju duhet të keni numrin tuaj të konfirmimit që të hyni tek Kontrolli i Statusit tё tё Regjistruarve. Një buton është tani në dispozicion në Kontrollit të Statusit tё tё Regjistruarve (ESC) në faqen e internetit të lotarisë, që do t’ju lejojë të rifitoni numrin tuaj të konfirmimit përmes adresës së regjistruar të postës elektronike duke plotësuar informacione të caktuara personale për të konfirmuar identitetin tuaj. “Ambasadat dhe Konsullatat e SHBA-sё dhe Qendra Konsullore në Kentucky nuk janë në gjendje që të kontrollojnë statusin tuaj të regjistrimit për ju apo të sigurojnë numrin tuaj të konfirmimit tek ju direkt (përveç butonit gjetës nëpërmjet ESC). Departamenti i Shtetit nuk mundet të sigurojë një listë të atyre që përzgjidhen për të vazhduar procesin e vizave”, saktësohet në udhëzim.
A mundet secili nga bashkëshortët të dorëzojë aplikim veçmas?
Lidhur me këtë pyetje specialistët shpjegojnë se: “Po, secili nga bashkëshortët mund të dorëzojë një aplikim veçmas, nëse secili përmbush kërkesat ligjore. Në qoftë se njëri prej tyre përzgjidhet, tjetri ka të drejtë të aplikojë për statusin e personit ndjekës (derivativ). Mos harroni, secili nga ju duhet të përfshijë bashkëshortin dhe çdo fëmijë të kualifikueshëm për lotarinë në aplikimin tuaj”.
Kriteret që duhet të përmbushë fotografia dixhitale
Sipas udhëzuesit të aplikimit, ju mund të nxirrni një fotografi të re digjitale, pa syze, apo të skanoni një fotografi (të nxjerrë gjashtë muajt e fundit) me një skaner dixhital, për aq kohë sa ajo i plotëson specifikimet e renditura më poshtë.
Fotografitë duhet të kenë të njëjtën cilësi dhe përbërje si fotografitë për vizë Amerikane.
Që të mos skualifikonheni nga përzgjedhja, këshillohet që të mos ngarkoni një fotografi më të vjetër se gjashtë muaj, apo një fotografi që nuk i përmbush të gjitha standardet e përshkruara më poshtë.
Ngarkimi i të njëjtës fotografi që keni përdorur në regjistrimin e një viti më parë, një fotografi që është përpunuar, apo një fotografi që nuk i përmbush specifikimet më poshtë do të rezultojë në skualifikimin tuaj.
Fotografitë duhet të jetë në 24-bit thellësi ngjyre. Nëse jeni duke përdorur një skaner, përbërësit e fotografisë duhet të jenë “True Color” ose 24-bit me ngjyra.
Fotografitë tuaja duhet të jenë:
Me ngjyra
Në fokus. Personi që fotografohet duhet të jetë me fytyrë drejt aparatit.
Lartësia e kokës ose përmasa e fytyrës (matur nga maja e kokës duke përfshirë edhe flokët deri
tek pjesa e poshtme e mjekrës) duhet të jetë ndërmjet 22 mm dhe 35 mm, ose nga 50-69% të lartësisë totale të fotografisë.
Të jetë nxjerrë brenda 6 muajve të fundit dhe të tregojë pamjen tuaj aktuale.
Të jetë nxjerrë me një sfond të bardhë e të ndriçuar.
Të jetë nxjerrë me fytyrën që shikon drejtpërdrejt kamerën. Koka e personit nuk duhet të jetë pozicionuar lart, poshtë ose anash.
Me një shprehje neutrale të fytyrës dhe me sytë të hapur.
Me rroba që vishni si zakonisht çdo ditë
Nuk duhen veshur uniforma, përveç veshjeve fetare që vishen çdo ditë.
Jo shami apo kapele që pengon flokët, përveç veshjeve fetare që vishen çdo ditë. Fytyra juaj duhet të jetë e dukshme dhe shamia e kokës nuk duhet të krijojë ndonjë hije në fytyrën tuaj.
Kufjet, pajisjet e tjera të ngjashme janë të papranueshme në fotografinë tuaj.
Hiqini syzet kur të dilni në fotografi.
Nëse ju mbani një pajisje dëgjimi çdo ditë, ju mund ta mbani atë edhe kur të dilni në fotografi.
Fotografi të kopjuara nga leja e drejtimit apo nga dokumente të tjera zyrtare nuk janë të pranueshme.
Gjithashtu, fotografi të çastit, fotografi nga revista, fotografi me cilësi të ulët apo të bëra me celular me cilësi të ulët, nuk janë të pranueshme.
Fotografia digjitale duhet të jetë:
Në formatin JPEG (jpg)
Baras ose më pak se 240 KB si madhësi
Dimensioni i fotos duhet të jetë katror (gjerësia duhet të jetë e barabartë me gjatësinë)
Përveç kërkesave të fotografisë digjitale, fotografia juaj ekzistuese duhet të jetë:
51 x 51 mm (2 x 2 inç)
E skanuar në një rezolucion prej 12 pikselë për milimetër (300 pikselë për inç)
Përdorni testuesin e fotografive të Departamentit të Shtetit, i cili është falas për të:
Zgjedhur një fotografi të ruajtur në kompjuterin tuaj.
Riformatuar dhe rrotulluar atë nëse është e nevojshme.
Ta presësh në një format katror saktësisht 600 x 600 pikselë
