Me disa mijëra emigrantë të shpërndarë në kufirin mes Polonisë e Bjellorusisë, Bashkimi Europian ka folur për nevojën e vënies në lista të zeza të kompanive ajrore që po bëjnë të mundur trafikimin e emigrantëve nga Bjellorusia e më tutje në BE.

BBC i ka kushtuar një artikull të gjatë gjendjes së krizës në kufirin mes dy shteteve (Polonisë, pjesë e BE-së dhe Bjellorusisë, nën ndikimin e fortë politik të Rusisë).

Nga cilat shtete vijnë emigrantët, teksa mijëra prej tyre kanë ngecur në kufi e përballen me të ftohtin e temperatura nën zero?

Shumë prej emigrantëve që mbërrijnë në Bjellorusi e më pas tentojnë të vijnë në shtetet e BE-së, vijnë nga Lindja e Mesme, por edhe nga Afganistani. Një pakicë e vogël vjen nga shtete të Afrikës.

Të dhënat nga Frontex për shtatorin tregojnë se shumica e emigrantëve vijnë nga kjo listë shtetesh:

Iraku; Siria; Afganistani; Turqia; Irani

Numrat janë rritur ndjeshëm që në muajt e verës dhe sipas Frontex, këto janë kalimet që janë raportuar e detektuar.

Cilat janë fluturimet që i drejtojnë emigrantët në Minsk

Në kryeqytetin e Bjellorusisë (Minsk) ka fluturime të rregullta nga destinacione përtej Lindjes së Mesme, përfshi këtu Stambollin, Bejrutin, Dubain e Bagdadin. Kompania shtetërore Belavia ka fluturime ditore nga Stampolli. Kompani të tjera shtetërore kryejnë fluturime direkte në Minsk, përfshi këtu Turkish Airlines dhe Aeroflot.

Ka një numër të avionëve privatë po ashtu, që ofrojnë fluturime këtë javë nga Bagdadi e Dubai në Minsk, kjo sipas FlightRadar24, i cili monitoron trafikun ajror në kohë reale.

Sipas një investigimi të BBC-së, është zbuluar një rrjet firmash udhëtimi e trafikantësh, po përdorin median sociale për të organizuar udhëtime ajrore drejt Bjellorusisë, si pjesë e një pakete. Përveçse kësaj, Bjellorusia lejon udhëtime pa nevojën e visa-ve për një periudhë 30 ditore për qytetarët e 76 shteteve, edhe pse jo për Irakun e Afganistanin.

Ka patur akuza se autoritetet e Bjellorusisë po ia lehtësojnë udhëtimin emigrantëve në kufir, në mënyrë që të provokojnë një krizë në kufirin lindor të BE-së. Bjellorusia i ka hedhur poshtë këto akuza.

Polonia nga ana tjetër, ka shkuar aqsa të akuzojë Rusinë (përveçse Bjellorusisë) për orvatje për të destabilizuar BE-në, duke lejuar emigrantët të udhëtojnë në Bjellorusi.

Çfarë po bën BE?

Unioni Europian ka hedhur në tavolinë idenë e futjes në lista të zeza të kompanive ajrore që po sjellin emigrantë, si pjesë e një numri masash për të ndaluar mbipopullimin e kufirit Polako-Bjellorus me emigrantë.

Zëdhënësi i Komisionit Europian Peter Stano, tha se BE po i monitoron nga afër jo vetëm kompanitë ajrore shtetërore, por edhe operatorët privatë. Ende nuk ka detaje në lidhje me masat konkrete që do të merren, ndërsa BE është në kontakt me një sërë shtetesh për këtë çështje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re