Lëvizja Socialiste për Integrim dega Durrës ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur ditën e sotme ku policia shoqëroi drejtuesen e këtij qarku, Elona Gurin.

LSI Durrës në deklaratën e saj thotë se Policia ka keqinformuar me njoftimin e saj e shtyrë dhe e ndikuar politikisht të vërtetën sipas tyre të ngjarjes.

E vërteta sipas LSI-së lidhur me ngjarjen është gjetja e pajisjeve përgjuese në zyrën qendrore të kësaj partie.

“Duke marrë shkas nga transformimi i ngjarjes të skandalit më të paprecedentë në procesin zgjedhor në 30 vitet e fundit, dhe keq-informimit dashakeq nga Policia e Shtetit, e cila e shtyrë dhe e ndikuar politikisht fsheh të vërtetën e hidhur po ju sqarojmë si më poshtë:

Gjetja e pajisjeve përgjuese dhe kamerave në zyrën qendrore të LSI Durrës.

Drejtuesit e LSI Durrës kanë zbuluar kamera përgjimi që monitoronin e përgjonin Zyrën e LSI Durrës.

Dyshimi lindi pasi të gjithë qytetarët e thjeshtë që shkonin në këtë zyrë kontaktoheshin, intimidoheshin dhe kërcënoheshin me vendin e punës ose presione të tjera nga Arbër Koka, djali i Lefter Kokës, apo anëtarë të shtabit elektoral të tij”-thuhet në deklaratë.

LSI-ja Durrës thotë në fund se u zbuluan kamerat dhe serverat me regjistrime dhe u njoftuan autoritetet në Komisariatin e Policisë Durrës.

Ndërsa Elona Guri denoncoi Arbër Kokën si autor të skandalit dhe pronarin e ambientit ku ishte vendosur serveri së bashku me kabujt dhe kamerat e përgjimit.

“U zbuluan kamerat dhe serverat me regjistrime. U njoftuan autoritetet dhe prezente fizikisht në Komisariatin e Policisë në Durrës, drejtuesja politike e LSI Durrës dhe kandidatja e LSI për Durrësin, znj. Elona Guri denoncoi Arbër Koka, djalin e Lefter Kokës si autor të këtij skandali dhe pronarin e ambientit ku ishte strehuar serveri dhe kabujt e kamerave të përgjimit”-shkruan LSI Durrës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re