Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka zhvilluar pasditen e kësaj të shtune një takim me banorët e njësisë 11 në kryeqytet. Në bashkëbisedim me të pranishmit, Kryemadhi tregoi vlerësim për prurjet e reja në LSI dhe u shpreh se ndihet krenare për këto afrime.

“Unë jam shumë e kënaqur që njerëzit po na shikojnë ne live në këtë bashkëbisedim dhe po na shkruajnë mesazhe. Madje ndihen edhe krenare për prurjet në LSI. Por ka edhe shumë të tjerë që duan të kontribuojnë dhe do të kontribuojnë në LSI. LSI-ja nuk është partia e një njeriu LSI-ja është partia e të rinjve dhe të rejave, LSI-ja është partia e të ardhmes së Shqipërisë.

Sepse në fund të fundit ajo që ne duam është të jetojmë dhe të punojmë në Shqipëri, të ngremë shumë gjëra të cilat garantojnë dhe e bëjnë jetën e çdo qytetari prezent. Ajo që ne kemi dëshirë dhe që sot ndoshta dhe të gjithë bashkë, edhe pse para shumë viteve kemi qenë në drejtime të ndryshme, sot jemi të gjithë bashkë, na ka bashkuar një qëllim, i cili është për të ndryshuar të gjithë atë lloj arrogance dhe sjellje arrogante të çdo lloj politike apo politikani, çdo qeveritari ndaj qytetarëve”, tha Kryemadhi.

Më tej, Kryemadhi vlerësoi se Riliindja ka bërë Tiranën një kaos të madh, me një trafik të paparë. Ajo shtoi se 25 prilli është afati i fundit i mbijetesës së Ramës.

“Të mendosh që në vitin 2021 trafiku për të ardhur nga Paskuqan të bën 40 minuta apo edhe 1 orë, sepse ishte premtuar një urë që do ta bënin për 40 ditë, por ka 140 ditë që akoma nuk kanë filluar punimet e jo më të mbarojë ura për 40 ditë. E gjithë Tirana është në një kaos të madh. Jo vetëm për sa i përket përmbytjeve, por edhe menaxhimit. Ndërkohë që prishen shtëpi për të hapur rrugë të reja, dhe ndërkohë prishen rrugët e vjetra për të ndërtuar pallate dhe kulla, ky është absurditet.

Ka dhe një gjë tjetër, që shqiptarët janë përmbytur dhe kryeministri bën xhiro nëpër botë. Ka dalë kërkon azil politik për veten e tij, sepse e di shumë mirë që 25 prilli është afati i fundit i mbijetesës së tij. Ai me qejfin e tij do të dojë të rrijë gjithë jetën, të bëhet edhe mbret, por shqiptarët për hir të së vërtetës jo”, deklaroi Kryemadhi.

Po ashtu, Kryemadhi vlerësoi se është e bindur se qytetarët do ndëshkojnë arrogancën e kryeministrit.

“Përsëritja është shumë e mirë në arsim, por në politikë ndëshkimi është një moment që i duhet asaj, kur politika në shumicën e rasteve bëhet arrogante me qytetarët. Unë jam e bindur që qytetarët dinë të ndëshkojnë kur ne gabojmë dhe dinë të vlerësojnë kur ne jemi vërtetë të përulur përpara tyre për të realizuar atë gjë. Nëse secili nga ne do të ketë qëllim në vetvete jo për të përmbysur individin, por për të përmbysur tranzicionin dhe për të ndërtuar një sistem që i shërben të gjithëve në mënyrë të barabartë, unë mendoj që kjo do jetë edhe shans dhe mundësi që i rikthehet rinisë shqiptare për ta bërë Shqipërinë europiane. Edhe pse jemi në mes të Europës, për shumë gjëra nuk jemi europianë”, u shpreh Kryemadhi.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re