Lëvizja Socialiste për Integrim ka akuzuar kryeministrin Rama se po tallet me studentët.

 

Nga selia e LSI, në një deklaratë për shtyp, deputetja Floida Kërpaçi deklaroi gjithashtu se gjatë këtyre 10 ditëve të protestës policia po terrorizon studentët.

 

Sipas deputetes, Kërpaçi kryeministri ka angazhuar të gjitha strukturat që të ndalojnë protestën e studentëve.

 

“Të thuash studentëve mund të rrini edhe 10 vite aty është një qëndrim kriminal si dhe vete politika e kriminalizuar e Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Por krahas shpresës dhe frymës transmetuar prej protestës së studentëve, në këto 10 ditë kemi parë të gjithë shtetin kriminal të Edi Ramës të angazhuar me çdo mjet, që nga drejtoreshat e gjimnazeve e deri te drejtuesit e Policisë kundër protestës së studentëve. Policia e cila nuk përplaset po bëhet njësh me krimin, dje i është kundërvënë të rinjve, të cilët të vendosur për të kaluar natën në të ftohtin e acartë, nuk i ka lejuar të përdornin disa copa druri për ngrohje. Oficerë si Roven Zeka, nuk mundet kurrë që duke përdorur uniformën e policisë, të dhunojnë të rinjtë. Policë të tillë i bëjnë turp Policisë së Shtetit dhe largimi i tyre nga forcat e policisë do të ishte më e pakta që mund të bënin që të reflektonin ndaj këtyre ngjarjeve të turpshme.”

 

Kërpaçi tha se opozita është në mbështetje të studentëve dhe përmbushja e 8 kërkesave të tyre është vetëm hapi i parë i reflektimit.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re