Ambasadori Amerikan Donald Lu lëshoi sërish akuza të forta për sistemin e drejtësisë dhe praninë e organizatave kriminale, të cilat sipas tij, veprojnë lirshëm në Shqipëri. Në 20-vjetorin e shkollës së magjistraturës, diplomati amerikan tha se në vend ka 4 klane kriminale në përbërje të të cilave janë 20 familje.
 
Si për t’i kujtuar drejtësisë se asnjë peshk i madh nuk është vënë para ligjit, ambasadori amerikan përmendi dhe krerët e disa prej këtyre grupeve. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Shqipëria vijon të jetë pika kyçe e krimit të organizuar që nga trafiku i drogës, prostitucioni, armët, por edhe pastrimi i parave.
 
Në mbyllje, duke kujtuar humbjen e gjyqtares Fildeze Hafizi, ambasadori tha se vdekja e saj duhet të shërbejë si shtysë për të bërë drejtësi, luftë e cila nuk mund të bëhet e vetme.
 
Eshte e rëndësishme qe qeveria shqiptare t’i shpalle këtë vit, lufte krimit te organizuar. E pranishme në aktivitet ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, tha se do të mbështesë çdo institucion që do të luftojë korrupsionin, ndërsa Shqipëria është në prag të një sistemi të ri gjyqësor dhe në muajt në vijim do të bëhet dhe vetingu.
 
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re