Skip to content

Luan Baçi i drejtohet Peleshit: Mos kujto se më vë përpara duke qenë aty lart

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka mbajtur një fjalim të tensionuar në Kuvend, duke akuzuar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për shkelje të rëndë të detyrës dhe nënshtrim ndaj urdhrave politikë të kryeministrit.

Duke marrë fjalën për procedurë, Baçi e nisi adresimin e tij me kritika të forta, duke refuzuar ta quajë Peleshi “kryetar Kuvendi”, për shkak të mënyrës se si, sipas tij, është ndërprerë seanca e mëparshme.

“Mos kujto se mund të më vësh përpara duke qenë në atë karrige aty lart. Do ju drejtohesha si kryetar i Kuvendit, por… mos më ndërpre po të them,” u shpreh Baçi me tone të ashpra.

Ai e akuzoi Peleshin se ka ndërprerë seancën e fundit me një “ultimatum” të ardhur nga kryeministri, çka – sipas tij – është një precedent i paprecedentë dhe i papranueshëm në historinë e drejtimit të Kuvendit.

“Një kryetar Kuvendi që për herë të parë, ndryshe nga paraardhësit tuaj, ndërpret seancën me një ultimatum nga kryeministri, duke i thënë opozitës: ‘Nëse nuk silleni mirë, do e ndërpresim’. Nuk mund të quheni kryetar Kuvendi,” tha Baçi.

Në vijim, ai kundërshtoi pretendimin e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, se të drejtën për të folur për procesverbalin e kishin vetëm ata që folën në seancën e mëparshme.

“Zoti Balla thotë se kush ka folur në seancën e parë mund të flasë për procesverbalin, por kush foli në atë seancë? Ne kemi të drejtë të gjithë të flasim për atë procesverbal, sepse pasqyron realitetin e munguar të asaj dite,” theksoi deputeti demokrat.