Një skandal i paparë ajo që ka ndodhur në LSI kur nënkryetari Petrit Vasili i eshte kundervene zevendeskryetarit Luan Rama e ka drejtuar gjithë fushatën kundër drejtuesit politik të LSI në qarkun e Vlorës.

Dritare.net ka publikuar sot një mesazh rëndësishëm të Petrit Vasilit siç e cilëson ai, dërguar në grupin e komunikimit në Whatsapp te kandidatëve te LSI në qarkun e Tiranës, teksa i urdhëron ata nen titullim “Mesazh shumë i rëndësishëm”, që të evidentojnë menjëherë çdo lidhje apo kontakt që kanë në Vlorë!

Dhe siç mësohet nga reagimet e kandidatëve të LSI në Tiranë, të gjithë i janë përgjigjur urdhrit të Vasilit e janë venë në lëvizje për ta zbatuar atë. I vetmi që ka thënë se kontaktet që ka pasur në Vlorë ia ka dhënë Luan Ramës ka qenë Besnik Jakaj, ndërkohë që të tjerët edhe pse komentonin me njëri-tjetrin se çfarë është kjo poshtërsi, i janë bindur urdhrit të Vasilit.

Madje disa prej tyre si Edmond Haxhinasto, Klajda Gjosha etj, edhe kanë shkuar në Vlorë dhe as nuk kanë denjuar ta takojnë “tradhtarin” Luan Rama.

Dritare.net duke marrë shkas nga mesazhi i Petrit Vasilit që publikuam sot, iu drejtua zotit Luan Rama me disa pyetje për një intervistë, por zoti Rama e refuzon intervistën, pasi siç thotë ai vetë në një reagim, “ është e fokusuar tek zbardhja e të vërtetës së zgjedhjeve, përmes rinumërimit dhe rivlerësimit transparent të çdo vote e shqyrtimit të çdo fakti që provon manipulimin, mashtrimin dhe tjetërsimin e vullnetit të zgjedhësve, pasi qytetarët shqiptarë duhet ta mësojnë të vërtetën e asaj që ndodhi para dhe gjatë 25 prillit”.

Ja reagimi i plotë i zotit Luan Rama:

“I nderuar zoti Hila,

Duke e mirëkuptuar “vëmendjen” tuaj profesionale teksa më ftoni përmes pyetjeve që më keni dërguar që të jap një intervistë për Dritaren tuaj pas publikimit të një mesazhi për mua krejt të pavlerë, e gjej me vend t’ju shpjegoj se nuk kam asnjë ngasje të merrem me praktika të tilla okulte e të shëmtuara deri në neveri, pasi shëmtia dhe neveria janë të vetëmjaftueshme e asnjë koment mbi to nuk ka vlerë.

E gjithë vëmendja ime jo vetëm politike, është e fokusuar tek zbardhja e të vërtetës së zgjedhjeve, përmes rinumërimit dhe rivlerësimit transparent të çdo vote e shqyrtimit të çdo fakti që provon manipulimin, mashtrimin dhe tjetërsimin e vullnetit të zgjedhësve, pasi qytetarët shqiptarë duhet ta mësojnë të vërtetën e asaj që ndodhi para dhe gjatë 25 prillit.

Me respekt,

Luan Rama

Zëvendëskryetar i LSI”/dritare.net