Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi ka reaguar ndaj rivalit të tij socialist, Gentian Llatja. Me anë të një postimi në Facebook, Boçi ka paralajmëruar se do të padisë në gjykatë për shpifje menjëherë pas zgjedhjeve.

Po ashtu sipas Luçiano Boçit, Llatja “do të përgjigjet për të gjithë flamujt e kuq të tenderave që ka organizuar në këto vite”.

Kandidati demokrat shprehet se Gentian Llatja është në një gjendje të dëshpëruar, madje nuk lejohet të flasë as në aktivitetet e fushatës së tij.

“Hartimi i dobët që ai nxori në fb është një gënjeshtër e gjatë e mbushur me shpifje të ulta. Disa prej këtyre shpifjeve – G. Llatja do të duhet t’i mbrojë në gjykatë, menjëherë pas zgjedhjeve. Po ashtu, ai do të përgjigjet për të gjithë flamujt e kuq të tenderave që ka organizuar në këto vite”, shkruan Boçi.

Reagimi i plotë

Të mos kesh program, të mos kesh ide, të mos kesh as aftësi për t’a fshehur këtë fakt – është një gjë që ka ndodhur shpesh në politikën shqiptare. Por të sulmosh kundërshtarin pse ti nuk ke ide, as program – është papërgjegjshmëri e plotë.

Nuk ja kam fajin unë G. Llatjes pse Elbasani është në këtë gjendje të dëshpëruar, ku ndodhet.

Nuk ja kam fajin unë pse dikush e ka rikandiduar duke e vënë në siklet të madh: tani G. Llatja duhet të përgjigjet për gjithçka që nuk ka bërë.

Unë nuk jam marrë me G. Llatjen. Hiq rastin kur nja dy herë e kam ftuar në debat të drejtpërdrejtë. Por ai nuk ka leje që të flasë as në aktivitetet e fushatës së tij. As atë letër kundër meje G. Llatja nuk e ka shkruar vetë.

Hartimi i dobët që ai nxori në fb është një gënjeshtër e gjatë e mbushur me shpifje të ulta. Disa prej këtyre shpifjeve – G. Llatja do të duhet t’i mbrojë në gjykatë, menjëherë pas zgjedhjeve.

Po ashtu, ai do të përgjigjet për të gjithë flamujt e kuq të tenderave që ka organizuar në këto vite.

Për gjithçka tjetër, përgjigja e datës 14 maj do t’i mjaftojë G. Llatjes dhe atyre që e keqpërdorin atë. Atë ditë ata do të mësojnë se respekti nuk blihet.

Luçiano Boçi, qytetar krenar i Elbasanit – nuk e ka tradhtuar kurrë dhe nuk ka ndërmend ta tradhtojë të vërtetën!

E vërteta është fytyra ime, është dinjiteti im, është integriteti dhe guximi im!

Sa për G. Llatjen: Breshkat mund t’i lëshosh edhe në autostradë… Prapë breshka mbeten.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re