Ish-kryeministri, Sali Berisha siç është bërë traditë tanimë ka mbajtur një fjalim nga ballkoni i banesës ku ndodhet në “arrest shtëpie”, ndërsa simpatizantët ishin mbledhur në “Rrugën e Shpresës”.

Berisha nisi fjalimin e tij me dy-vjetorin e luftës në Ukrainë, për të cilën u shpreh se lufta e kombit ukrainas është një luftë shpëtimtare për Evropën dhe për lirinë e botës.

“Të dashur misionare dhe misionarë, qëndrestare dhe qëndrestare të lirisë, shpresës, dinjitetit njerëzor dhe të ardhmes sonë.

Përulem me mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh para jush për betejën tuaj kundër një pushtimi të brendshëm barbar, e cila siç u shpreh me të drejtë parafolësja, do një Shqipëri pa shqiptarë.

Ju, po qëndroni çdo ditë kundër këtij regjimi, i cili ka mbuluar Shqipërinë me korrupsion.

I cili dhunon çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë, të drejtat dhe liritë e shqiptarëve.

I cili vjedh shqiptarët nga mëngjesi gjer në darkë dhe i largon ata nga Shqipëria.

Miqtë e mi, sot bëhen dy vite për mbarë Europën dhe botën, njerëzit e lirë, është një ditë e veçantë.

Dy vite nga dita kur diktatori rus, në një paranojë hitleriane, sulmoi vendin fqinj me qindra mijëra tanke, avionë, duke besuar se me një Blitzkrieg, njëlloj si Hitleri në Luftën e Dytë Botërore do lante duart shpejt e shpejt me Ukrainën dhe do u përvishej vendeve të tjera të lira të Europës.

Por, falë qëndresës, heroizmit legjendar të luftëtarëve të lirisë të kombit ukrainas, presidentit të nderuar Zelensky, ata që parashikuan disfatën apo mposhtjen e Ukrainës brenda javës, morët në fushat dhe malet e saj disfatën historike.

Autokolonat e tankeve dhe blindave, skuadrat vdekjendjellëse të aviacionit u asgjësuan.

Kombi ukrainas qëndroi për dheun e vet. Por qëndroi për të gjithë vendet e lira në Europë dhe në botë.

Lufta e kombit ukrainas është një luftë shpëtimtare për Europën. Është një luftë shpëtimtare për lirinë e botës” u shpreh fillimisht Berisha.

Ish-kryeministri shtoi se Partia Demokratike denoncon me forcë fushatën anti-NATO të Edi Ramës dhe garanton Ukrainën se do mbështesë fuqimisht luftën e tyre të drejtë.

“PD denoncoi që ditën e parë me forcën më të madhe agresionin barbar të Vladimir Putinit kundër Ukrainës.

Por PD denoncoi me forcë të madhe qëndrimet e dyfishta të argatit të Beogradit në Tiranë ndaj kësaj lufte.

Edi Rama nuk iu përgjigj që në fillim sanksioneve të NATO-s dhe BE ndaj Rusisë së Putinit.

Përkundrazi, ai hapi portet për mallrat dhe kontrabandën ruse.

Përkundrazi, ai hapi plazhet për barbarët ruse, që pasi kryenin kasaphanë ndaj qytetarëve të Ukrainës, vinin në plazhet e Edi Ramës për të rimarrë forcat.

Miqtë e mi, PD denoncoi me forcën më të madhe fushatën anti-NATO, anti-Shqipëri të Edi Ramës, në mbrojtje të padronit të tij Vuçiç, i cili kalonte nga samiti në samit me tezën se Serbia më mirë të mos zbatojë sanksionet.

Me tezën se nuk duhet të rënë në qafë Serbisë për të zbatuar sanksionet e Rusisë.

Me tezën se Serbia është më mirë Rusi e vogël, një rrezik madhor për paqen, vetëm e vetëm se ishte vasal, argat i shpifur i serbomadhit Vuçiç.

PD, sipas parti e vokacionit perëndimor, pa diskutim ka një nga meritat më të mëdha në histori, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Ishte aleanca e Atlantikut të Veriut, që i imponoi Edi Ramës të marrë kthesën, se përndryshe do përballej me pasojat më të rënda.

Ndaj dhe ky i pakarakter, argat i Vuçiçit, e qepi gojën, e mbylli gojën, hoqi dorë nga lobimi për Beogradin.

Dhe kjo është meritë e madhe e NATO-s.

Por kjo është gjithashtu meritë e PD, që rreshtoi Shqipërinë në aleancën e Atlantikut të Veriut.

Duke u përulur me nderimin më të madh para heroizmit, sakrificës së qindra mijëra luftëtarëve të Ukrainës, qytetarëve të saj, duke shprehur besimin se kjo luftë nuk do fitohet kurrë nga Putini, nga barbarët, PD garanton popullin e Ukrainës dhe qeverinë e tij se do mbështesë me gjithë fuqinë luftën e tyre të drejtë dhe se në Shqipëri, do të luftojë me vendosmërinë më të madhe ndaj çdo korenti, çdo përpjekje, çdo tendence pro-ruse nga cilido” tha ish-kryeministri.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re