Human Rights Watch (HRW) ka paralajmëruar se pushtimi rus i Ukrainës ka përkeqësuar krizën e sigurisë ushqimore në vendet afrikane.

Raporti i publikuar nga HRW thekson se shumica e vendeve afrikane mbështeten jashtëzakonisht te Ukraina dhe Rusia për vajrat bimore, plehrat, gruri dhe importet e grurit, të cilat përbëjnë shumicën e produkteve kryesore.

“Lufta prish tregjet globale të mallrave dhe flukset tregtare në Afrikë, duke rritur çmimet edhe ashtu të larta të ushqimeve në rajon. Madje edhe vendet që importojnë pak nga të dy vendet ndikohen në mënyrë indirekte nga çmimet më të larta botërore për mallrat kryesore”, tha grupi i të drejtave me bazë në New York.

Lena Simet, një studiuese e lartë mbi varfërinë dhe pabarazinë në HRW, tha se “shumë vende në Afrikë tashmë kanë krizë ushqimore, rritja e çmimeve ka komplikuar gjendjen e miliona njerëzve të shtyrë në varfëri nga pandemia COVID-19”, si dhe kërkoi veprim urgjent nga qeveritë dhe komuniteti ndërkombëtar.

Sipas raportit, para luftës, vendet në Afrikë, veçanërisht Nigeria, Kenia, Kameruni dhe Angola, tashmë po përballeshin me rritjen e çmimeve të ushqimeve për shkak të klimës ekstreme dhe kushteve të motit, si përmbytjet, rrëshqitjet e dheut dhe thatësirat, ndërkaq pandemia COVID-19 ndërpreu përpjekjet e prodhimit dhe zinxhirët e furnizimit global.

Nigeria, importuesi i katërt më i madh në botë i grurit, merr një të katërtën e importeve të saj nga Rusia dhe Ukraina. Kameruni, Tanzania, Uganda dhe Sudani kanë më shumë se 40 për qind të importeve të grurit nga Rusia dhe Ukraina.

“Lufta në Ukrainë ka shkaktuar një rritje të madhe të njerëzve të uritur në të gjithë Afrikën. Qeveritë duhet të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe për të shmangur krizën e urisë”, tha Simet, duke shtuar se zgjerimi i mbrojtjes sociale dhe sigurimi i furnizimit me ushqim të përballueshëm është thelbësor për mbrojtjen e të drejtës për ushqim për të gjithë.

Sipas raportit, para luftës shtatë në dhjetë persona në Kenia tashmë ishin përballur me pasiguri ushqimore, në Kamerun më shumë se gjysma e popullsisë, kurse në Nigeri pasiguria ushqimore preku gati gjashtë në dhjetë persona.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re