Ministri i Mbrojtjes së Azerbajxhanit, Zakir Hasanov tha se “lufta është një provim dhe për këtë na përgatitën Forcat e Armatosura Turke”.
Në një deklaratë në një kanal televiziv, Hasanov duke folur lidhur me luftën e Karabakut rikujtoi se presidenti i Azerbajxhanit, İlham Aliyev ka dhënë udhëzim për ristrukturimin e ushtrisë së Azerbajxhanit në përputhje me modelin e Forcave të Armatosura Turke dhe se kanë filluar punimet për këtë çështje.
Hasanov theksoi se bashkëpunimi i ushtrive të Azerbajxhanit dhe Turqisë është në nivel të lartë por që “Deklarata e Aleancës” e nënshkruar më 15 qershor nga presidentët e vendeve në Shusha, do të sigurojë integrimin në nivelin më të lartë të të dy ushtrive.
Duke folur për mbështetjen që Turqia dha për Azerbajxhanin në luftë, Hasanov tha: “Lufta për ushtrinë është një provim. Ne e kaluam këtë provim. Por, për këtë na përgatitën Forcat e Armatosura Turke. Oficerët tanë arsimohen në Turqi, njësitë tona kryejnë stërvitje. Oficerët turq japin trajnime për të përmirësuar fuqinë luftarake të njësive tona”.
“Ushtria turke është një prej ushtrive më të fuqishme të botës. Ky është shansi ynë. Gjuha, feja dhe rrënjët tona janë të njëjta dhe ne përfitojmë nga kjo. Është një prej ushtrive më të fuqishme të NATO-s. Kanë kryer operacione të suksesshme në Siri dhe në vende të tjera. Ne përfitojmë nga kjo përvojë. Në përgatitjen tonë për luftë, Forcat e Armatosura Turke dhanë një mbështetje të pazëvendësueshme”, potencoi Hasanov.
Më tej ministri azerbajxhanas tha se janë në marrëdhënie të ngushta edhe me Pakistanin. Ai bëri të ditur se në muajin shtator njësitë speciale të Turqisë, Azerbajxhanit he Pakistanit do të zhvillojnë stërvitje të përbashkët.
