Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj organizoi një takim me strukturat drejtuese të policisë Shkodër, në kuadër të analizës dhe planit të masave kundër kanabisit. Lleshaj u shpreh se ky takim nuk ishte vetëm për të bërë një analizë së punës së kryer gjatë vitit 2020, por është një pikënisje e planit kundër kultivimit për vitin e ardhshëm. Ministri u shpreh se lufta kundër kanabisit ka arritur suksese të mëdha këto kohë, por që rastet sporadike të kultivimit në parcela të vogla vijojnë ende të ekzistojnë në skajet e largëta të territorrit të vendit.

Duke falanderuar bashkëpunimin me organin e akuzës, Lleshaj premtoi se ky fenomen do të zhbëhet përfundimisht nga historia e angazhimeve të policisë.

“Sapo përfunduam një takim me policinë në Shkodër dhe konstatojmë se puna e bërë gjatë këtij viti për të goditur kultivimin e kanabisit në qarkun e Shkodrës, ka dhënë rezultate shumë të mira. Ashtu sikurse në gjithë Shqipërinë edhe në Shkodër, është goditur fort në të gjitha skajet, sepse kanabisi ka mbërritur në skajet më të largëta të vendit në tentativa të shkëputura për t’u mbjellur në parcela të vogla, por angazhimi ynë është për ta goditur në vijueshmëri. Analiza jonë nuk ishte vetëm për vitin 2020 por është edhe fillimi për operacionin e vitit 2021, operacioni i cili do të synojë ta konsolidojë më tej suksesin e arritur dhe ta zhbëjë përfunimisht kanabisin nga historia e angazhimeve tona.

Bashkëpunimi midis policisë dhe organeve të tjera ligjzbatuese, specifikisht me prokurorinë ka njohur një përmirësim të jashtëzakonshëm. Sidomos arkitektura e re e sistemit të drejtësisë, krijimi i Prokurorisë të Posaçme, ka bërë që bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë në përgjithësi dhe Prokurorisë së Posaçme në veçanti, ka njohur një rritje të madha. Prapa këtij përmirësimi qëndrojnë dhe një pjesë e sukseseve që janë arritur këto kohë”, u shpreh ministri Lleshaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re