Ministri i Drejtësisë Etilda Gjonaj urdhëroi zgjatjen edhe për një vit të vendosjes në regjim të posaçëm në burgun e sigurisë së lartë për 4 (katër) të burgosurit e mëposhtëm nga 7 (shtatë) që kanë qenë në këtë regjim!

Të burgosurit, të cilëve u zgjatet afati janë: Arbjon Aliko, Endrit Qyqja, Emiljano Shullazi dhe Genci Balla.

Vendimi erdhi me propozim të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke iu referuar informacionit të marrë nga strukturat e tjera përgjegjëse ligjzbatuese, në konsultim me Ministrin e Brendshëm dhe shprehjes së tij për miratimin e kërkesës së SPAK.

Sakaq, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po merr të gjitha masat për zbatimin e vendimeve.

Le të kujtojmë se regjimi i posaçëm“41 bis”, është një projekt i implementuar në kuadër të reformës që është ndërmarrë në të gjithë sistemin penitenciar nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj me qëllim intesifikimin e luftës kundër krimit dhe shkëputjen e të gjitha fijeve të kontaktit mes subjekteve kriminale.

I konsideruar si mjaft efikas në Itali, 41 bis është një nga projektet kryesore mes Ministrisë së Drejtësisë dhe antimafjes italiane, i cili sipas të dhënave të më hershme është hartuar nga ekspertët  në respektim të të drejtave dhe lirive të garantuara në Kushtetutë si dhe përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Është parashikuar që regjimi 41-bis të rishikohet e rivlerësohet për secilin të dënuar gjatë zbatimit të tij, me qëllim garantimin e një balance të drejtë ndërmjet nevojës për të ndërprerë lidhjet e të dënuarve me organizatat kriminale.

Forcimi i masave të sigurisë, janë kundërshtuar gjithmonë nga të burgosurit dhe të afërmit e tyre të cilët herë pas here kanë artikuluar ankesa të shumta duke kërkuar më shumë liri brenda IEVP-ve. ()

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re