Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha në 112 vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit renditi sfidat me kritika me të cilat struktura policore përballet ende.

Në fjalën e tij, ai renditi mes të tjerash luftën kundër korrupsionit dhe  krimit të organizuar si dhe garantimin e sigurisë publike në çdo cep të Shqipërisë, përfshirë kontrollin e plotë të territorit.

“Para strukturave të Policisë së Shtetit, sot qëndrojnë disa nga sfidat më kritike të kohës sonë:

-Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit;

– Garantimi i sigurisë publike në çdo cep të Shqipërisë, përfshirë kontrollin e plotë të territorit;

-Rritjen e efektivitetit në hetimin e rasteve të dhunës në familje, trafikimit apo krimeve që i konsiderojmë të vogla por që cenojnë të drejtat themelore të qytetarëve tanë.

–  Përmirësimi i shërbimeve për qytetarët, është një tjetër kërkesë dhe detyrë për ju, duke siguruar që çdo qytetar të ndjejë mbështetje dhe të merret në mbrojtje kur të jetë në nevojë nga Policia e Shtetit, tha ministri.

Më tej ai tha se puna e strukturave drejtuese të policisë nuk matet vetëm nga urdhrat që jepen nga zyra, por edhe  nga shembulli dhe modeli që demonstroni çdo ditë, në çdo veprim apo vendim tuajin.

“Më lejoni t’ju kujtoj këtu edhe njëherë se puna e strukturave drejtuese të policisë nuk do të matet vetëm nga numrat e rasteve dhe problematikat e zgjidhura, por edhe nga perceptimi i sigurisë nga qytetarët. Nuk do të matet vetëm nga urdhrat që jepen nga zyra, por edhe nga shembulli dhe modeli që demonstroni çdo ditë, në çdo veprim apo vendim tuajin.

Dëshiroj të shoh një trupë drejtuese që nxit bashkëpunimin dhe transparencën, jo vetëm brenda radhëve të policisë, por edhe me qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.

Vendi ka një potencial të jashtëzakonshëm, por që për të ecur përpara drejt Shqipëria2030, kemi nevojë për institucione të forta, të drejta dhe të besueshme. Pjesë integrale e këtij vizioni është brezi i ri i drejtuesve”, u shpreh Hoxha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re