Shumica e drejtuesve të institucioneve të pavarura kushtetuese i janë përgjigjur thirrjes së kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, për përgjysmimin e pagës së tyre për një periudhë tremujore, në shenjë solidariteti për përballimin e pasojave të pandemisë covid 19.
Më parë kanë vendosur të përgjysmojnë pagën edhe Presidenti Meta, kryeministri Rama, ministrat dhe deputetët. Funksionarët e lartë shtetëror do të japin vetëm gjysmën e pagës neto, pra pa llogaritur kontributin e detyrueshëm shoqëror, sigurimin shëndetësor, sigurimin suplementar si dhe tatimin mbi pagën.
Po sa është shuma e parave që do të kontribuojë secili zyrtar i lartë për përballimin e situatës emergjente? Lista kryesohet nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko, i cili është zyrtari me pagën më të lartë në Shqipëri. Sejko merr rreth 460 000 lekë në muaj ose 4.6 milionë lekë të vjetra. Guvernatori i është përgjigjur thirrjes së Ruçit, ndërsa do kontribuojë me rreth 228 000 lekë në muaj.
Pas Sejkos, funksionarët me pagat më të larta në Shqipëri janë krerët dhe anëtarët e institucioneve të drejtësisë. Kanë shprehur vullnetin për të kontribuar kryeprokurori Olsian Çela, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, anëtarët e Këshillit të Lartë i Prokurorisë dhe gjashtë anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Secili prej tyre do të japë rreth 140 000 lekë në muaj. Presidenti Ilir Meta do të kontribuojë me 93 757 lekë në muaj. Sipas llogaritjeve, duke përgjysmuar pagën neto, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, do të kontribuojë në muaj me 84 401 lekë. Po aq para në muaj do të japë edhe kryeministri Edi Rama, pasi paga e tij është barabartë me pagën e kryetarit të Kuvendit.
Paga mujore e ministrit është 129 701, që do të thotë se ministrat e qeverisë Rama do të kontribuojnë me 64 850 lekë në muaj për përballimin e epidemisë. Deputetët e Partisë Socialiste do të japin nga 59 107 lekë në muaj.
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, ka marrë vendim për përgjysmimin e pagës deri në fund të vitit 2020. Leskaj do të japë për përballimin e epidemisë nga 64 181 lekë në muaj, ndërsa kreu i ILDKPKI, Shkëlqim Ganaj, rreth 66 000 lekë në muaj.
Krerët e organeve të tjera të pavarura, si Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, kryetari i Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës Juliana Latifi etj., të cilët i janë përgjigjur thirrjes së kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, do të kontribuojnë për përballimin e pandemisë me rreth 65 000 lekë në muaj.