Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u dha ultimatum zyrtarëve të policisë që deri më datë 15 qershor të eleminojnë kanabisin në të gjithë vendin.

 

Në takimin e zhvilluar në zyrën e konferencave në Ministrinë e Brendshme, Lleshaj tha çdo ngarkes kanabisi që do të kapet pas datës 15 qershor do të jetë përgjegjësi e të gjithë drejtuesve.

 

“Kërkohet kontroll rigoroz i territorit. Çdo bimë, çdo farë që kapet deri në datën 15 qershor është meritë e juaja, e drejtuesve të policisë, e drejtuesve të degëve territoriale etj. Çfarë kapet pas datës 15 qershor është përgjegjësi e secilit prej jush dhe e njerëzve tuaj. 15 qershori ndan përgjegjësinë.”

 

Lleshaj u ndal më tej edhe tek lista e personave të shpallur në kërkim. Ai kërkoi që të gjithë ata që I janë shmangur drejtësisë të arrestohen dhe të marrin dënimin e duhur.

 

“Krimi i organizuar mbetet sfida e madhe që kërkon hetimin e krimit të organizuar dhe plotësimin e parametrave që kanë nevojë dhe detyrim i joni për t’u përmbushur. Në fushën e krimit të organizuar është prioritet kapja e personave në kërkim. Vendi ka një listë shumë të gjatë të personave që i shmangen drejtësisë. Ka qindra persona që i shmangen drejtësisë. Përgjegjësia është ulja e kësaj liste.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re