Formula 1 ka vendosur të anullojë dy çmimet e mëdha, të cilat priteshin të zhvilloheshin në muajin Prill në Bahrein dhe Arabinë Saudite.

Vendimi vjen  për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, që vijon ende.

Gara e Bahreinit ishte programuar për në 12 prill, ndërsa ajo e Arabisë Saudite në 19 prill.

Të dy vendet janë goditur disa herë nga Irani si kundërpërgjigje e sulmeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Anulimi i këtyre garave të F1 pritet të kushtojnë më shumë se 100 milionë dollarë, pasi modeli i biznesit të Formula 1 ende mbështetet shumë te tarifat që paguajnë vendet organizatore dhe të drejtat televizive, përcjell Faxweb.

Herën e fundit që një garë e planifikuar e Formula 1 u anulua ishte në 2023, kur Emilia Romagna Grand Prix në veri të Italisë u anulua në moment të fundit për shkak të përmbytjeve vdekjeprurëse në zonë.

Në 2022, F1 vijoi garën në Arabinë Saudite edhe pse rebelët Houthi nga Jemeni sulmuan një depo nafte gjatë një seance provash, me tym të zi që shihej nga pista e Jeddah.

Po atë vit, Formula 1 anuloi kontratën për Russian Grand Prix pasi Rusia pushtoi Ukrainën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re