Presidenti amerikan Joe Biden tha se pushtimi rus i Ukrainës tregon se kalimi në energjinë e rinovueshme është çështje e sigurisë kombëtare, por edhe çelësi për parandalimin e ngrohjes globale, raporton AFP.

“Sulmi brutal dhe i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës fqinje ka nxitur krizën globale të energjisë dhe ka theksuar nevojën për të arritur një siguri afatgjatë të besueshme energjetike”, tha Biden në Forumin virtual të Energjisë dhe Klimës në Shtëpinë e Bardhë.

Lajmi i mirë është se klima dhe siguria energjetike shkojnë krah për krah”, tha Biden.

Kjo ishte mbledhja e tretë e Bidenit në Forumin e Ekonomive të Mëdha për Energjinë dhe Klimën që nga marrja e detyrës në vitin 2021, me një premtim për t’i bërë Shtetet e Bashkuara një lider në përpjekjet botërore për të ndaluar ngrohjen katastrofike globale.

Kjo vjen në një kohë kur Biden po përballet me pakënaqësi publike për rritjen e mprehtë të çmimeve të karburantit, si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës.

Në të njëjtën kohë, vendet evropiane po përpiqen të gjejnë mënyra për të shmangur varësinë nga importet ruse të naftës dhe gazit.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres foli gjithashtu në forum, duke kritikuar ashpër industrinë e naftës dhe gazit, duke e akuzuar atë për përdorimin e të njëjtave taktika si kompanitë e duhanit dhe duke paraqitur një “narrativë të rreme për të zvogëluar përgjegjësinë e tyre për ndryshimet klimatike”.

 “Asgjë nuk mund të jetë më e qartë apo më e pranishme sesa rreziku i zgjerimit të lëndëve djegëse fosile. Edhe në afat të shkurtër, lëndët djegëse fosile nuk kanë kuptim politik apo ekonomik. Megjithatë, duket se jemi të bllokuar në një botë ku prodhuesit dhe financuesit e karburanteve fosile kanë kontroll të plotë mbi njerëzimin”, tha Guterres.

Megjithatë, mesazhi i shefit të OKB-së ishte në kundërshtim me realitetin politik me të cilin përballet Biden, ndërsa përpiqet të bindë industrinë vendase të naftës që të rrisë prodhimin.

Amerikanët aktualisht paguajnë mesatarisht pesë dollarë për gallon, nga tre dollarë një vit më parë, dhe rritja e çmimeve të karburantit ka rezultuar në një rritje të përgjithshme të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re