Kërcënimet për një luftë të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë kanë sjellë një shqetësim real edhe për shqiptarët.

 

Deputeti shqiptar në parlamentin serb Shaip Kamberi tha se Ballkani do jetë i trazuar për sa kohë që nuk ka paqe mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Raportet e pazgjidhura sipas tij, janë kërcënim real për Ballkanin, çfarëdo iniciative rajonale që të ndërmerret.

 

“Pavarësisht një projekti që po ndërtohet në Ballkan dhe që po tentohet të ndërtohet në Ballkan në aspektin ekonomik është i mirë. Në parim ne nuk jemi kundër, por një projekt që është nisur për të përfshirë të gjithë ballkanin perëndimor, që nënkupton 6 shtetet,  nuk mund të jetë i suksesshëm nëse gjysma e Ballkanit nuk është pjesë e tij. Po të jenë edhe dy shtete të tjera pjesë e këtij projekti, i këtij koncepti, mendoj se pa definimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë Ballkani nuk mund të stabilizohet. Është shumë simptomatike këto që po ndodhin tani së fundmi, qoftë edhe për diçka banale, që në politikën ndërkombëtare po thuhet. Deri sa botës po i kërcënohet kriza me raketa bërthamore, tabelat në Kosovë kërcënojnë një luftë të re. Shihet se sa është e brishtë situata. Çfarëdo iniciative rajonale, bilaterale është e kërcënuar nga raportet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re