Më shumë se 8 orë negociata nuk arritën ta bindin  Ramiz Muçollarin të dorëzohej  te forcat RENEA. 62-vjeçari, i cili që prej mbrëmjes të së premtes qëndronte i mbyllur në banesën e tij në fshatin Qesarakë të Maliqit u ekzekutua pas shkëmbimit të zjarrit që pati me efektivët e policisë.

 

Negociatat me 62-vjeçarin vijuan përgjatë gjithë natës me thirrje të pandërprera për t’u dorëzuar, por nuk u bind dhe  vazhdoi të hapte zjarr, duke qëlluar me një mitraloz të lehtë duke rrezikuar jetën e tyre.

 

Mëngjesin e kësaj të shtune forcat speciale “Renea” hynë deri në katin e dytë të banesës së Ramiz Muçollarit, i cili ishte ngjitur në papafingo. Policia njoftoi se  pati shkëmbim zjarri që zgjati për një orë dhe si pasojë, 62-vjeçari humbi jetën.

 

Më herët, ai plagosi gruan, Pëllumbeshën, 58 vjeç me thikë në këmbë, ndërsa djalin, Kamberin, 27 vjeç e qëlloi me qytën e armës në kokë. Ata ndodhen aktualisht në spitalin e Korçës jashtë rrezikut për jetën. Pas marrjes së njoftimit policia e Maliqit shkoi drejt banesës së autorit por të gjitha përpjekjet për ta detyruar të dorëzohej dështuan

 

Autori vuante nga depresioni dhe kishte 20 vite që kurohej. Një ditë më parë familjarët e dërguan për vizitë në spitalin psikiatrik dhe në mbrëmje kur u kthyen në banesë nisi konfliktin me familjarët.

 

Fqinjët e familjes Muçollari thane se 62-vjeçari nuk ka pasur sjellje agresive ndaj banorëve të fshatit. Sipas dëshmisë së tyre kanë qenë problemet me djalin që agravuan përplasjen.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re