Komisarja e Bashkimit Evropian për Tregti, Cecilia Malmstrom, paralajmëroi mbrëmjen e së mërkurës një sërë masash, që Unioni po përgatitet të marrë kundër prodhimeve amerikane…

Komisarja e Bashkimit Evropian për Tregti, Cecilia Malmstrom, paralajmëroi mbrëmjen e së mërkurës një sërë masash, që Unioni po përgatitet të marrë kundër prodhimeve amerikane.

Cecilia Malmstrom organizoi në Bruksel një konferencë shtypi për sa i takon vendimit të Uashingtonit për të aplikuar tarifa doganore shtesë në importin e çelikut dhe aluminit.

“Po bëjmë përgatitje për masat që do të merren ndaj produkteve amerikane. Ne po konsultohemi me vendet anëtare të BE-së dhe së shpejti do të ndajmë me publikun këtë listë të përkohshme. Kjo listë përfshin produkte të çelikut, industriale dhe bujqësore”, deklaroi ajo.

Ne s’duam që situata të dalë jashtë kontrollit – shtoi Malmstrom – por nga ana tjetër nuk kemi ndërmend të heshtim përballë marrjes së mundshme të disa vendimeve që cenojnë ekonominë e BE-së.

Malmstrom sqaroi se strategjia e BE-së në lidhje me këtë çështje formohet nga tri faza: Zhvillimi i një qasjeje të koordinuar me vendet e tjera sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë (WTO), përgatitja e masave që duhen marrë në rast se kjo situatë prodhon një efekt ekonomik të rëndësishëm, si dhe vendosja e masave kundër produkteve të tjera amerikane sipas ndikimit ekonomik.

“Ne dyshojmë se tarifat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës planifikojnë të aplikojnë janë në përputhje me rregullat e WTO-së”, theksoi Malmstrom duke vlerësuar si të padrejta tarifat doganore të planifikuara nga SHBA-ja.

Pasi rikujtoi se SHBA-ja nuk ka marrë ende një vendim zyrtar mbi këtë çështje, komisarja e BE-së për Tregti tërhoqi vëmendjen se “këto tarifa dëmtojnë BE-në, prandaj kundërpërgjigjja e Brukselit do të jetë e drejtë dhe proporcionale”.

Ajo komentoi gjithashtu deklaratën e Presidentit amerikan, Donald Trump, se mund të vendosë taksa shtesë ndaj makinave evropiane.

“Kompanitë e vendeve anëtare të BE-së prodhojnë 2 milionë automjete në SHBA. Këto firma sigurojnë punësim në Amerikë”, u shpreh Cecilia Malmstrom.

Në listën e përkohshme, që BE-ja planifikon të vendosë 25% tarifë doganore si kundërpërgjigje ndaj SHBA-së, renditen produkte si gjalpë kikiriku, pantallona xhins, motoçikleta, çarçafë/mbulesa, buzëkuq, rezervuarë të çeliktë të gazit, rulo çeliku, tuba, bombola, skara, lavamanë, ventilatorë, shkallë, jahte, barbunjë, oriz, uiski, boronicë, lëng portokalli, duhan, puro, etj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re