Skuadrat shqiptare, të cilat do të marrin pjesë në Kupat Europiane në këtë sezon kanë nisur punën me merkaton por edhe përgatitjet përpara gjithë të tjerave duke përfshirë edhe Luftëtarin. Skuadra gjirokastrite në këto dy sezone në Kategorinë Superiore është dalluar për lojën e bukur por edhe rezultative duke shfaqur edhe një projekt serioze pasi është bazuar shumë tek futbollistët e rinj në moshë.

Pikërisht mes afrimeve të verës bie në sy edhe afrimi i dy mesfushorëve të talentuar beratas: Aldrti Oshafi dhe Erald Hyseni. Të dy kanë qënë në provë në sytë e teknikut të ri të gjirokastritëve, Kostiç provë kjo e kaluar me sukses dhe të dy do të jenë pjesë e skuadrës që do të vazhdoj fazën përgatitore në Slloveni.

Të dy talentet më të fundit të shkollës beratase kanë shkuar nga rrugë të ndryshme në Gjirokastër por e përbashkëta e tyre është jo vetëm që janë të dy beratas por edhe se pritet të jenë ndër mesfushorët më të mirë të kampionatit në vazhdim.

Oshafi u përfshi në skuadrën e parë dy sezone më parë kur në krye të skuadrës ishte tekniku kavajas, Bledar Sinella, i cili në këtë sezon e mori me vete tek Besa. Pikërisht lojërat e mira të bëra nga mesfushori e bënë të kalonte në radarët e Luftëtarit.

Ndërsa Hyseni këtë sezon bëri prezantimin e parë në futbollin profesionist duke ia dalë që të jetë një ndër titullarët e mesfushës beratase. Edhe për të performanca e mirë e këtij sezoni me fanellën e Tomorit nën drejtimin e trajnerëve Dule dhe Arbri zgjuan interesin e shumë skuadrave.

Kështu me kalimin e Oshafit dhe Hysenit tek Luftëtari shkon në tre numri i futbollistëve beratas që do të jenë në listën e klubeve shqiptare në Europë duke shtuar këtu edhe sulmuesin e Laçit, Myrto Uzuni./Berati.TV

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re