Më shumë se 900 luftëtarë sirianë pro-turq janë kthyer në Siri pas përfundimit të luftës në Nago-Karabak, tha të mërkurën Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR).

Pas gjashtë javësh luftë, Azerbajxhani dhe Armenia nënshkruan një marrëveshje në 9 nëntor për t’i dhënë fund armiqësive.

Turqia, e cila mbështeti Azerbajxhanin në konflikt, është akuzuar për dërgimin e luftëtarëve sirianë në Nago-Karabak për të forcuar ushtrinë azere, por Ankaraja mohon pretendime të tilla.

“Më shumë se 900 luftëtarë që mbështesin Ankaranë u kthyen në Siri dhe ky kthim ndodhi në disa faza,” pohon SOHR, duke theksuar se kthimi i fundit u bë më 27 nëntor.

Luftëtarët janë kthyer në zonat e kontrolluara nga trupat turke në veri të Sirisë, tha drejtori i SOHR, Rami Abdel Rahman.

“Kthimet e reja janë të mundshme në ditët në vijim,” shtoi Abdel Rahman, i cili pret që të gjithë ata që luftuan në Azerbajxhan të kthehen në Siri.

“2.580 luftëtarë sirianë u dërguan në Azerbajxhan,” pretendon Abdel Rahman, duke shtuar se 293 prej tyre u vranë në përleshje.

Franca kohët e fundit kërkoi “mbikëqyrje ndërkombëtare” të armëpushimit në Nago-Karabak, ndër të tjera, për të garantuar kthimin e luftëtarëve të huaj, kryesisht sirianë.

Karabaku është një pjesë e njohur ndërkombëtarisht e Azerbajxhanit, por me një shumicë popullsie armene.

Deri në përparimin e forcave të Azerbajxhanit në javët e fundit, ajo ishte plotësisht nën kontrollin e armenëve etnikë.

Luftimet midis të dy palëve filluan më 27 shtator dhe Azerbajxhani pretendon se ka rifituar shumicën e territoreve që humbi në luftën e viteve 1991-1994, në të cilën vdiqën 30,000 njerëz.

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re