Nikolin Gurakuqi, djali i Mjeshtrit të madh Luigj Gurakuqit, ka rrëfyer historinë prekëse të familjes së tij. I ftuar në emisionin “Vizioni i Pasdites”, regjisori Nikolin Gurakuqi tha se familja e tij ishte në vështirësi ekonomike, nuk kishin para për të kryer nevojat e tyre, ndonëse babai i tij Luigj Gurakuqi ka dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e artit dhe kulturës në Shqipëri.

 

“Babai im doli në pension 30 vjet të shkuara, ishte në hall të Zotit. Nuk kishte lekë me kry nevojat. Bashkë me mamanë dolën në pension. Pensioni i tyre ishte 100 e ca mijë lekë. Por ishim ne fëmijët, unë dhe motra që e ndihmuam. Ashtu i erdhi jeta dhe na la. Mas vdekjes mori titullin mjeshtër i madh. Por nuk e gëzoj asnjëherë pensionin e veçantë se nuk e mori kurrë. Dhe vdiq i varfër. Babai im vdiq i varfër”, rrëfeu mes emocioneve Nikolin Gurakuqi.

 

Duke folur mbi pensionet qesharake të artistëve shqiptarë, Nikolin Gurakuqi u shpreh se vetë ka pak kohë që ka dalë në pension dhe ende nuk e ka marrë pensionin e tij.

 

“Unë sapo kam dalë në pension, dy muaj. Nuk e kam marrë akoma, nuk e di a do më dali. Por kam vlerësim shtetëror nga dy Presidentë të Republikës, ky i fundit është “Mjeshtër i Madh. Por në bazë të ligjit, ka proçedura që duhen bërë rrugës. Në paçim fat me e marr, mirë. Nëse s’kemi fat prapë do jetojmë”, përfundoi me nota humori regjisori.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re