Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko tha se praktika e Perëndimit për të zhvilluar grusht shtete në vende të tjera bart rreziqet e fillimit të Luftës së 3-të Botërore.

Lukashenko mbajti një fjalim në samitin e gjashtë të Konferencës për Ndërveprimin dhe Masat e Ndërtimit të Besimit në Azi (CICA) që po mbahet në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.

Duke tërhequr vëmendjen se Bjellorusia ka hequr dorë vullnetarisht nga armët bërthamore, Lukashenko tha: “Çfarë morëm në këmbim të kësaj? Premtime në vend të garancive të vërteta ligjore ndërkombëtare, marrëveshje boshe dhe që nuk mbështeten si Memorandumi i Budapestit, përpjekje të pafundme për të destabilizuar situatën në Bjellorusi”.

Ai tha se skenarin e ngjashëm Perëndimi po e zbaton edhe në Ukrainë. “Si përputhet me normat e ligjit ndërkombëtar praktika për zhvillimin e grusht shtetit në vendet e tjera dhe ndëshkimi me sanksione ndaj shteteve që kanë sukses të japin përgjigje ndaj kësaj vështirësie? Tashmë nuk ka më askush që ta bëjë këtë pyetje. Përgjigjja jonë duhet të jetë e qartë. Kjo nuk mund të pranohet dhe bart rrezikun për fillimin e Luftës së 3-të Botërore ku nuk do të ketë fitues”, tha Lukashenko.

Sipas tij, situata në fushën e sigurisë nuk është përkeqësuar vetëm në Evropë, por në të gjithë botën dhe se problemet kanë filluar të përhapen edhe në Azi. “Vendet perëndimore që ofrojnë shërbimin për të mbrojtur paqen, në të vërtetë ndezin zjarrin dhe nuk interesohen me pakësimin e tensionit. Qëllimi i tyre është të krijojnë grindje, të bëjnë ndarje për të gjithë dhe të sigurojnë qasje pa kontroll në tregjet dhe burimet”, shtoi Lukashenko.

Presidenti bjellorus theksoi se duhet të përmirësohen përpjekjet për t‘iu kundërvënë këtyre problemeve në fjalë dhe shtoi se ka nevojë për korridore të reja që do të zhvillojnë tregtinë.

“Në rajonin e Euroazisë ka potencial të madh në fushën e ekonomisë dhe tregtisë”, tha Lukasheno i cili shtoi se ndërveprimi me vendet aziatike është prioritet për ta. “Ka ardhur koha e Azisë. Është shumë e rëndësishme që kjo mos të humbasë”, tha ai.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re