Një tjetër figurë serbe ka guxuar t’u kërkojë falje kosovarëve, madje të shkojë dhe në Prekaz, duke bërë homazhe te varrezat e Jasharajve, mbi saktë mbi varrin e Blerina Jasharit, një të miture të vrarë nga serbët. Aty, veç tufes me lule, avokati Cedomir Stojkoviç bëri dhe kryqin, sipas besimit të tij ortodoks, mbi një shpirt musliman.

Më pas, vijuan mesazhet.

“Sot, miliona polakë dhe gjermanë në bashkëpunim të ngushtë në çdo fushë të mundshme, së bashku formojnë shtyllën kurrizore të Evropës së lirë. Fëmijët e martesave të tyre të përziera gëzojnë përfitimet e kësaj paqeje të vendosur, pavarësisht gjithë historisë së rëndë. 26 vjet pas luftës në Kosove, si lufta e fundit në Ballkan, vendi im arreston dhe rreh njerëz që vendosin lule mbi varret e fëmijëve të vrarë shqiptarë dhe duan pajtim mes kombeve. Kjo është një shenjë që ne nuk guxojmë ta injorojmë”, tha Stojkovic, pas vizitës në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

“Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet paqe. Dhe miliona shpresa dhe ëndrra që fillojnë me fjalën ‘më fal’”, ishte mesazhi i shkruar në shqip, serbisht dhe anglisht, të cilin Cedomir Stojkoviç, avokat i politikanit të opozitës serbe, Nikolla Sanduloviç, vendosi në varrin e Blerina Jasharit.

Dhe kujtojm se ditë më parë ishte Sanduloviç ai që theu një tabu, duke shkuar për homazhe në Prekaz e kërkuar falje, pas së cilës pasoi një rrahje brutale ndaj tij në Serbi, e cila iu atribuua si autorësi shërbimeve sekrete serbe, pra BIA-s.

 “Është një paralajmërim i qartë se e keqja nuk është mposhtur dhe se po pret momentin që të zgjohet sërish. Kjo e keqe tani po punon për të vrarë shpresën se e ardhmja jonë e përbashkët cilësore është e mundur”, tha Stojkoviç.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re