Pas zyrtarizimit të fitores së Lulzim Bashës nga ana e Jemin Gjanës, Lulzim Basha ka reaguar me anë të një statusi të shkurtër.

Ai e quan rizgjidhjen e tij në krye të Partisë Demokratike me një rezultat të thellë, si një fitore të jashtëzakonshme.

“Faleminderit për mbështetjen e jashtëzakonshme!

Ajo është një shprehje e qartë e besimit në rrugën tonë drejt ndryshimit.

Së bashku do bëjmë gjithçka që Shqipëria të fitojë”, shkruan Basha, ndërsa ka postuar edhe dy foto nga fushata e tij për rizgjidhjen në krye të PD-së.

Interesant është ndërkohë, se atë nuk e ka uruar askush nga PD për fitoren e arritur.

Dy kandidatët Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj thjesht kanë falenderuar votuesit dhe e kanë pranuar rezultatin.

Ndërsa kandidati i ditëve të fundit për të marrë drejtimin e PD-së, Sali Berisha, nuk ka bërë asnjë reagim publik për zgjedhjet, as për të uruar Lulzim Bashën për fitoren, as për të kontestuar manipulimet e bëra publike nga Basha.

Përkundrazi, në mënyrë të koduar, ai ka publikuar në faqen e vet një video kur ishte kryetar i PD-së, gjatë një takimi në Korçë.

Me sa duket, Berisha do të shprehet në bazë të qendrimeve që Lulzim Basha do të mbajë ndaj tij.

Në rast se ai do t’i qendrojë në krah në betejën kundër SHBA dhe nuk do e përjashtojë nga grupi parlamentar, natyrisht që Berisha do të heshtë.

Në të kundërt, ashtu siç deklaroi edhe gjatë ditës së votimit për kreun e PD-së, por dhe siç ka bërë gjatë gjithë këtyre ditëve të fundit, kur publikon video dhe foto nga koha që ka qenë kryetar i PD-së, si presion ndaj Bashës, nuk është çudi që Sali Berisha të nisë një lëvizje për rrëzimin e Bashës.

Mbetet të vijë shtatori, për të parë si do të shkojë kjo betejë mes Bashës e Berishës, e cila në fakt, thjesht është në fazën e nxemjes dhe nuk ka nisur ende.

Nëse do të nisë, kuptohet!

(TemA)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re