Në një konferencë për shtyp, mbrëmjen e së mërkurës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se përshëndet vendimin e KiE për t’u tërhequr nga monitorimi i zgjedhjeve lokale në Shqipëri.

Sipas Bashës, kjo është hera e parë në historinë e KiE, që nga koha e komunizmit, që Këshilli nuk merr pjesë në monitorimin e zgjedhjeve në një vend anëtar.

Basha shtoi se arsyet e këtij vendimi ishin ato që PD kishte thënë në lidhje me 30 qershorin.

Basha tha:

“Dua të përshëndes vendimin e Këshillit të Europës për t’u tërhequr nga monitorimi i farsës së 30 qershorit. Arsyet janë ato që kemi thënë: Nuk ka konkurencë pa pjesëmarrjen e opozitës. Janë zgjedhje pa kuptim politik.

Është një vendim i pastër politik, një distanicm i prerë nga zgjedhjet fallco një partiake, nga organizata kryesore e të drejtave të njeriut në Europë nga organizata kryesore që mbron të drejtën e zgjedhjeve të lira dhe pavarësisë së pushteti lokal.

Këshilli i Europës ka qenë monitorues i zgjedhjeve lokale të vitit 2015, së bashku me OSBE/ ODHIR –in. Ditën e zgjedhjeve misionet e monitorimit të votimit ishin misione të përbashkëta të OSBE-së dhe mes Këshillit të Europës. Këtë vit, Këshilli i Europës u tërhoq, për herë të parë në historinë e tij, nga monitorimi i zgjedhjeve lokale në një vend anëtar të tij.

Sikurse e thekson vetë njoftimi i Këshillit të Europës, farsa që po përgatit Edi Rama nuk ka ndodhur në vendet e Këshillit të Europës, që nga rënia e komunizmit. Tashmë po bëhen të qarta për të gjithë përmasat e skandalit kushtetues, ligjor dhe politik të 30 qershorit”.

Më tej Basha theksoi se qëndrimi i opozitës në këtë situatë mbetet i pandryshueshëm, duke mos i konsideruar zgjedhje ato të 30 qershorit dhe duke i parë ato si një ndërmarrje që thellon krizën në vend.

Ai shtoi: “Këtë qëndrim ia kam bërë të qartë ditët e fundit të gjithë komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht partnerëve që po përpiqen të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës politike. U kam shprehur të vërtetën se votimi farsë antikushtetues, antiligjor dhe i kriminalizuar do ta thellojë krizën dhe do ta fusë Shqipërinë në një fazë me kosto të lartë për vendin.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re