Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një status në Facebook, ka shkruar për ndarjen nga jeta të kryetarit të PD në Krujë, Reshit Merlika.

Në emër të të gjithë demokratëve, Basha shprehu ngushëllimet për bashkëshorten dhe djemtë e Merlikës.

Kreu i selisë blu shtoi se Merlika spikati me integritetin, qëndresën dhe dhembshurinë e tij për Krujën dhe bashkqytetarët e tij.

“Sot u nda nga jeta Reshit Merlika, kryetari i Degës së Partisë Demokratike Krujë. Mendimet dhe lutjet e mija dhe të familjes time si dhe të mbarë demokratëve shkojnë tek bashkëshortja e tij Majlinda dhe dy djemtë e tij Arbisi dhe Eraldi si dhe tek nëna e tij znj. Shpëtime dhe vëllezërit e të afërmit, për humbjen e parakohshme të njeriut të tyre të shtrenjtë.

Pinjoll i një prej familjeve më të shquara të Krujës, Reshit Merlika spikati me integritetin, qëndresën dhe dhembshurinë e tij për Krujën dhe bashkqytetarët e tij. Si pas tërmetit të 26 Nëntorit ashtu edhe gjatë pandemisë ai ishte ditë e natë pranë njerëzve në nevojë, duke mobilizuar ndihma, fashitur plagët e dhimbjeve dhe dhënë forcë e kurajo atyre që kishin humbur gjithçka.

Partia Demokratike humbi sot një nga drejtuesit e saj më të përkushtuar dhe unë një bashkëpunëtor të vyer. U prehtë në paqe!,” shkruan Basha.
/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re