Nga sheshi “Nënë Tereza” në hapje të fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit, Lulzim Basha kishte një thirrje për të gjithë shqiptarët që të bashkohen me PD-në për të luftuar për të ardhur në pushtet për të sjellë ndryshimin. Lideri demokrat u shpreh se ka gati planin për ta zbatuar pas 25 Prillit.

“Shqipëria gjithmonë ka qenë kryelartë në shekujt e trazuar të historisë së vet dhe ne jemi sot këtu për të ndaluar dorën që vret shpresën e shqiptarëve dhe mendjen që kërkon të mbjellë frikën te zemrat e shqiptarëve.

Ne jemi të vetëdijshëm se puna jonë është një përkushtim dhe sakrificë për vendin. Ne po luftojmë kundër një grupi njerëzish që janë gati të bëjnë gjithçka vetëm për të mbajtur karriget e tyre. Po rrëmbejnë pasuritë tuaja dhe të kombit.

Ne po zhvillojmë edhe një betejë brenda vetes. Unë e di që pas 8 vitesh zhgënjime, mashtrime, shumëkujt i ka humbur besimi dhe mendon se ky vend nuk ndryshon, unë kam një pyetje për ju; a është kjo ajo që ne meritojmë?

A është mungesa e vendeve të punës, që ne meritojmë? A është largimi i rinisë, ajo që meritojmë? A është ky fat i shkruar? Jo! Ky vend meriton më shumë, shqiptarët meritojnë më shumë. Prandaj jemi përpara jush, ne shqiptarët meritojmë më shumë dhe mundemi dhe do të bëjmë shumë më shumë.

Për muaj të tërë, ditë pas dite kam shkuar në cdo qytet, në cdo cep të Shqipërisë, kam ndjerë etjen për ndryshim, kam prekur me duart e mia shpresën, kam folur dhe kam shpjeguar se gjërat mund të shkojnë më ndryshe dhe më mirë, se ndryshimi po vjen, se Shqipëria do të ndryshojë.

Kam lexuar në sytë tuaj një nxitje dhe forcë të pa përsëritshme, frymëzim për të ecur përpara. Po ju zbuloj cfarë më kanë thënë shqiptarët; “jemi gati për një ndryshim të madh, por na e hiqni këtë peshë të rëndë mbi supe, këta qeveritarë vetëm na zhvasin”. Dhe në do ia heqim popullit këtë barrë të rëndë mbi supe.

Pse fëmijët tanë duhet të shkojnë në shtete të tjera për t’u punësuar, shkolluar dhe përparuar, pse kaq shumë prindër dhe të rinj nuk gjejnë punën e përshtatshme në Shqipëri, por vetëm jashtë saj. Kemi përgatitur dhe kemi gati plane serioze pune që do të ndryshojnë jetën e familjeve shqiptare, të cdo kujt që dëshiron të punojë dhe jetojë me djersën e ballit.

Ne do të sjellim një qeveri që kujdeset për shqiptarët. Thirrja ime është për t’u që ndoshta po mbledh para borxh për të ikur jashtë vendit, “mos ik, lufto me mua, lufto me ne, vend do të bëhet” tha Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re