Kryedemokrati Lulzim Basha përmes një daljeje publike për media bëri me dije lajmin se ka vendosur përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Basha në fjalën e tij theksoi se Berisha nuk dotë jetë pjesë e grupit parlamentar deri në momentin që do përfundojë betejën ligjore për vendimin e shpalljes non grata nga ShBA.

Duke vendosur në plan të parë aleancën me Shtetet e Bashkuara dhe duke theksuar rëndësinë e kësaj aleance strategjike, Basha u shpreh se ky vendim i vështirë prej tij është në interesin e partisë Demokratike.

Partia Demokratike mbështet kërkesën për transparencë të bërë nga Z. Berisha, i cili ka ndërmarrë një vendim në mbrojtje të dinjitetit të tij, duke e kërkuar këtë transparencë edhe në rrugë gjyqësore.

Ndërsa ndjekja e rrugës ligjore për të kërkuar transparencë është e drejtë themelore e njeriut, në rastin konkret çështja është komplekse për shkak se përfshin Departamentin Amerikan të Shtetit.

Nga ana ime prej dy muajsh e gjysëm kam bërë të gjitha përpjekjet më intensive për gjetjen e një zgjidhje në lidhje me këtë cështje.

Partneriteti i Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i pacënueshëm dhe do duhet të vijojë të mbetet i tillë, në interes të demokratëve, në interes të së ardhmes së Shqipërisë.

Me përkrahjen e SHBA, PD ka siguruar arritjet më të rëndësishme të saj në qeverisjen e vendit, nga të cilat kanë përfituar qytetarët shqiptarë.

Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë.

Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen.

Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Kjo do të shmangte keqpërdorimin e çështjes nga kushdo, për të dëmtuar interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, dhe do i hiqte alibinë cilitdo për të mbrojtur të keqen e vetme të Shqipërisë që është keqqeverisja dhe korrupsioni 8 vjeçar i Edi Ramës.

Rrugëtimi i Sali Berishës në politikë nuk ndahet dot nga rrugëtimi i Partisë Demokratike dhe sukseseve të saj në qeverisjen e vendit dhe mbrojtjen e interesit publik.

Këtë e kam të qartë unë, e ka të qartë çdo anëtar i Partisë Demokratike, e ka të qartë kushdo.

Prandaj dhe ky vendim i sotëm nuk cënon aspak kontributin dhe arritjet e z. Berisha si lider historik i Partisë Demokratike dhe si President apo Kryeministër i Shqipërisë gjatë këtyre 30 viteve. Nuk cënon aspak atë që përfaqëson Sali Berisha për historinë e Partisë Demokratike.

Ky vendim i sotëm, aspak i lehtë për mua, si në aspektin politik, por mbi të gjitha në atë njerëzor, por besoj edhe për çdo demokrat, ka si udhërrëfyes të tij, si kurdoherë, vetëm interesin e demokratëve, interesin e Partisë Demokratike, interesin e qytetarëve shqiptarë.

Ju më keni besuar drejtimin e Partisë Demokratike për të marrë edhe vendime që lëkundin emocionet tona.

Mirëpo, secili prej nesh, duke nisur nga unë i pari, ka detyrimin për të sakrifikuar nga vetja për interesin e Partisë Demokratike, për interesin e demokratëve, për interesin e qytetarëve shqiptarë.

Vetëm në këtë mënyrë ne justifikojmë besimin e marrë ndër vite nga demokratët, dhe besimin që qytetarët shqiptarë kanë tek Partia Demokratike, si e vetmja alternativë qeverisëse që do të bëjë realitet ndryshimin real për shqiptarët dhe aspiratën e tyre për Shqipërinë si gjithë Europa“, tha Basha.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re